24 tetor 2010

Seria A, java e 8-të: Lacio e pandalshme, ngec Juve

Sapo kanë përfunduar ndeshjet e javës së tetë në kampionatin Italian. Lacio s’e ndal vrullin, Juventusi nuk e kalon dot pengesën Bolonja. Fitojnë Kievo, Xhenova, Leçe dhe Udineze.
Vazhdon ëndrra e bukur e Lacios drejt titullit kampion. Skuadra nga kryeqyteti regjistroi sot të gjashtën fitore në kampionat, pasi mundi 2-1 Kaljarin në “Olimpiko”. Flokari në minutën e 22-të dhe Mauri në të 53-tën firmosën suksesin e mardhekaltërve, ndërkohë që goli i Matrit në minutën e 59-të nuk e ndihmoi Kaljarin të dalë me pikë nga “Olimpiko”.

Ky tripikësh i siguron lacialëve vendin e parë edhe pas javës së tetë në kuotën e 19 pikëve, aktualisht pesë më tepër se Milani dhe Interi. Skuadra zikaltër do të presë sot në mbrëmje Sampdorian, kurse Milani udhëton nesër drejt Napolit.

Nuk shkoi mirë për Juventusin, që pas sukseseve radhazi në javët e fundit, ndan një pikë me Bolonjën pas barazimit pa gola në stadiumin “Dall’ara”. Ekipi bardhezi pati mundësinë më të mirë për realizuar në minutën e 36-të, por Vinçenco Iakuinta u tregua i pasaktë nga pika e bardhë e penalltisë.

Tripikësh i rëndësishëm për Kievon, pas fitores të vuajtur 2-1 përballë Çezenës së Erion Bogdanit në stadiumin “Bentegoti”. Sezar kaloi vendasit përpara në të 31-tën, por skuadra udhëtuese riktheu baraspeshën pas autogolit të Guanas në minutën e fundit të pjesës së parë. Minuta e fundit e takimit solli golin tripikësh për veronezët, që mban firmën e Tereo. Kjo fitore e ngjit Kievon në vendin e katërt me 13 pikë, në pritje të sfidave Inter-Sampdoria dhe Napoli-Milan.

Xhenovas i mjaftoi goli i Rosit në minutën e 68-të për të mposhtur Katanian dhe për të siguruar një tripikësh të artë në betejën për një vend në Evropë. Xhenovezët kanë 11 pikë, aq sa Palermo e Leçe, dhe aktualisht mbajnë vendin e tetë.

Fitore vendase me të njëjtin rezultat, 2-1, kanë regjistruar Leçe dhe Udineze, përkatësisht kundër Breshias dhe Palermos. Në mbrëmje (ora 20:45) luhet sfida e fundit e ditës së diel, ndërkohë që java e tetë e Serisë A mbyllet nesër mbrëma me përballjen mes Napolit dhe Milanit në stadiumin “San Paolo”.
/start/E. Bylykbashi/

Seria A, java e 8-të:

Të shtunën
Fiorentina 2 – 1 Bari

Të dielën
Parma 0 – 0 Roma (ora 12:30)
Bolonja 0 – 0 Juventus (ora 15:00)
Kievo 2 – 1 Çezena (ora 15:00)
Xhenova 1 – 0 Katania (ora 15:00)
Lacio 2 – 1 Kaljari (ora 15:00)
Leçe 2 – 1 Breshia (ora 15:00)
Udineze 2 – 1 Palermo (ora 15:00)
Inter – Sampdoria (ora 20:45)

Të hënën
Napoli – Milan (ora 20:45)