07 tetor 2010

“Calciopoli 2″, radha e Del Pieros me shokë

Përveç juventinit, edhe Nesta me Ibrën u thirrën si dëshmitarë nga gjyqtari De Santis në gjyqin e Napolit

Masimo De Santis ka grumbulluar “skuadrën” e tij. Arbitri më i përfshirë në skandalin “Calciopoli”-t, i akuzuar nga Ançeloti se “ishte bashkëpuntor i Moxhit” dhe që e ka përkufizuar këtë gjyq “një farsë”, ku “të gjithë jemi të pafajshëm”, ka thirrur si dëshmitarë në favor të tij 9 futbollistë, midis të cilëve janë edhe disa elementë të nivelit të lartë si Aleks Del Piero, Zllatan Ibrahimoviç dhe Alesandro Nesta.
Dy seancat ku do të dëgjohen futbollistët do të zhvillohen më 12 dhe 19 tetor. Teoria që synon të vërtetojë avokati Paolo Galineli, avokati mbrojtës i arbitrit nga Tivoli, është shumë e thjeshtë: De Santis është i pafajshëm, nuk ka qenë asnjëherë një gjyqtar që ka mbrojtur Juventusin dhe, nëse ka patur disa gabime që janë cilësuar si favore, këto kanë ndodhur njësoj për të gjitha skuadrat e mëdha të futbollit italian.
Do të fillohet më 12 tetor, ditën ku do të flitet për Leçe-Juventus të luajtur më nëntor të 2004-ës: dita e Alesandro Del Pieros. Më pas, do të vazhdohet me Alesandro Nestën për Fiorentina-Milan të luajtur më 1 maj të 2005-ës dhe Fabio Galanten për Livrono-Siena të 8 majit të të njëjtit vit. Ndërsa, do të duhet të pritet pak më gjatë për Zllatan Ibrahimoviç: suedezi, në fakt, nuk mund të paraqitet në gjyq më 12 tetor, për shkak të impenjimeve me kombëtaren e tij, por as më datën 19, duke parë se do të jetë i impenjuar në derbin e Europës midis Realit të Madridit dhe Milanit në Ligën e Kampionëve. Për të rifreskuar memorien, tani do të analizojmë ndeshjet në të cilat do të mbështetet mbrojtja e De Santis:

LEÇE JUVENTUS 0-1, 14 nëntor 2004

Ndeshja është zhvilluar në kushte atmosferike jo të mira: fusha ka qenë e mbuluar nga uji, por De Santis, siç ka ndodhur në takimin Peruxhia-Juventus, që ka përcaktuar fituesin e kampionatit italian në 2002-in, ka vendosur që ndeshja të luhet gjithsesi.
Goli vendimtar është shënuar pikërisht nga Alesandro Del Piero, në minutën e 14-të të pjesë së parë, një gol që është favorizuar nga një devijim jo natyral i topit për shkak të një pellgu me ujë. Avokati Galineli do të mbështetet te kapitenët e dy skuadrave, Del Piero dhe Kristian Ledezma, të cilët duhet të deklarojnë se nuk kanë kërkuar pezullimin e ndeshjes, për të vërtetuar pafajsinë e De Santis.

JUVENTUS INTER 0-1, 20 prill 2005

Takimi është vendosur nga një goditje dënimi e Kruzit, por dyshimet nuk kanë të bëjnë me golin. Në harkun e 90 minutave, në fakt, Ibrahimoviç, që në atë kohë luante me Juven, ka goditur Kordobën me bërryl kur loja ishte e ndalur.
De Santis ka deklaruar, në raportin e tij, se nuk e ka parë gjestin e suedezit, duke ia lënë gjithçka në dorë gjykatësit sportiv. Thelbi: tri javë skualifikim për Ibrën, që ka munguar në sfidën për titull të 8 majit kundër Milanit dhe arbitri me ndërgjegjen e pastër se e ka privuar Juventusin (po a nuk ishte vendimi i gjykatësit sportiv?) nga sulmuesi i saj në një ndeshje kaq vendimtare.

FIORENTINA-MILAN 1-2, 1 maj 2005

Ka qenë ndeshja e fundit në kampionat e kuqezinjve, para sfidës me Juventusin, ku të dy skuadrat do të paraqiteshin me pikë të barabarta. Milani ka patur tre lojtarë në formacion që rrezikonin skalifikimin në rast se do të ndëshkoheshin me kartonin e verdhë, midis të cilëve Alesandro Nestën.
Avokati i De Santis do të kërkojë të vërtetojë se klienti i tij mund të kishte ndëshkuar një nga tre lojtarët kuqezi, duke i detyruar ata kështu që të mungonin në takimin e rëndësishëm kundër Juventusit në “San Siro”. Por, askush midis Sedorfit, Rui Kostës dhe Nestës nuk është ndëshkuar me kartonin e verdhë.

LIVORNO-SIENA 3-6, 8 maj 2005

Kjo është ndeshja me të cilën De Santis dhe mbrojtja e tij do të kërkojnë të dalin të pafajshëm nga akuza se kanë komanduar të ashtuquajturën “organizatë romane”, një organizatë në gjendje të kushtëzonte në mënyrë pozitive karrierën e atyre që bënin pjesë në të. Përveç arbitrit 48-vjeçar, flitet edhe për arbitrat Gabriele, Palanka dhe Çenikola.
Para derbit toskan kanë ardhur deklaratat e ashpra të presidentit të Livornos, Aldo Spineli, që ka folur pikërisht për një lidhje midis De Santis dhe kësaj organizate. Sipas akuzës, arbitri ka dëmtuar pikërisht për këtë arsye vendasit, duke nxjerrë me kartonin e kuq lojtarin Fabio Galante: ja përsa avokati Galineli ka thirrur vetë Galanten për të dëshmuar se largimi i tij nga fusha ka ardhur për shkak të një ndërhyrje të rëndë ndaj Albertos.