Kapiteni i Juventusit është i kënaqur me ecurinë e skuadrës në ndeshjet e fundit, por thekson rëndësinë e fitoreve në të ardhmen.
Për kapitenin legjendar, barazimi pa gola kundër Interit të dielën e kaluar, në të vërtetë vlen shumë më tepër nga sa përfaqëson ky rezultat. “Jam i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, për mënyrën si u sollëm në fushë, për personalitetin që treguam, për klimën korrekte në të cilën u zhvillua ndeshja. Por nuk jam plotësisht i kënaqur me rezultatin, pasi ambicia jonë është të fitojmë përherë”, u shpreh Del Piero.
Megjithatë, numri 10 i “Zonjës” sheh përpara: “Sigurisht, 0-0 me Interin vlen shumë më tepër se një barazim, sepse është një fillim i mbarë dhe një hap i rëndesishëm në rrugën tonë drejt përmirësimit për të arritur aty ku duam të arrijmë”.
Kurse mbrojtësi italian i bardhezinjve, Xhorxho Kielini, nga grumbullimi me kombëtaren bën thirrje për vetëpërmbajtje. “Interi mbetet skuadra më e fortë, por nuk duhet të përqëndrohemi vetëm tek ata. Fillimisht duhet të marrim rezultate pozitive kundër skuadrave më të vogla, e të sigurojmë vendin e katërt”, u shpreh qendërmbrojtësi Kielini.