25 dhjetor 2009

Zymerin e Mustafën, i thërret Dinamo

Portieri i talentuar i Trepçës, Florent Zymeri dhe mesfushori i Prishtinës, që aktualisht është i huazuar te Kosova (V), Argjend Mustafa, kanë gjasa të mira që karrierën ta vazhdojnë në futbollin kroat, respektivisht te klubi Dinamo Zagreb.
Menaxheri i dy futbollistëve, Shukri Asllani, ka bërë të ditur se akademia e gjigantit kroat ka ftuar në prova Zymerin dhe Mustafën. Këta dy të fundit klubit kroat pritet t’i bashkohen në fillim të viti 2010.
“Argjend Mustafa, mesfushor i Prishtinës, momentalisht i huazuar në Kosovën e Vushtrrisë dhe Florent Zymeri, portier i Trepçës, kanë marrë ftesën për prova në akademinë e klubit kroat Dinamo Zagreb. Ata do të udhëtojnë për në Zagreb në fillim të janarit 2010 dhe do të qëndrojnë për 10 ditë në prova”, ka thënë Asllani për Express të mërkurën.
Asllani ka treguar se dy lojtarët tashmë janë pajisur me viza. Sipas tij, të gjitha formalitetet tjera rreth udhëtimit, akomodimit dhe ushqimit gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Zagreb janë kryer.
“Besoj se kjo do të jetë një mundësi e mirë për këta dy lojtarë që të dëshmojnë talentin e tyre dhe të përfaqësojnë denjësisht veten, por edhe klubet e tyre amë, gjë që do të jetë jo vetëm një mirënjohje për punën e deritashme të tyre dhe klubeve prej nga vijnë ata, por do të ndikojë si stimulues që në të ardhmen të punohet seriozisht me kategoritë e reja dhe më me përkushtim”, theksoi Asllani.
Në anën tjetër, portieri Florent Zymeri beson se me sukses do t’i kalojë provat te klubi nga stadiumi ‘Maksimir’.
“Në bazë të përgatitjes që kemi bërë deri më tani, besoj që provat do t’i kalojmë me sukses. Po ashtu shpresoj që edhe fati në na përcjellë”, u shpreh 17 vjeçari.
Ndërsa edhe Argjend Mustafa beson se me talentin që ka dhe me ndihmën e Zotit do t’i bind drejtuesit e klubit kroat që t’i ofrojnë kontratë.
“Përgatitjet i kam filluar para dy javëve. E ndiej vetën që do t’i tregoj krejt ato çka di. Me talentin që kam dhe me ndihmën e Zotit, besoj që do ta kaloj provën”, thotë Mustafa.
Zymeri dhe Mustafa janë pjesë e përfaqësueses U-16 të Kosovës. Në vitin 2008, të dy shkëlqyen në turneun “Gaetano Scirea”, i cili është mbajtur në qytetin italian Matera. Gjatë këtij turneu, të dy futbollistët patën rënë në sy të disa klubeve të mëdha evropiane.