14 dhjetor 2009

Trezege: S’kemi fat, patëm shumë raste

Goli i Trezegesë numër 169 është një tjetër perlë e zezë e Davidit, por dhe e hidhur si ai kundër Bajernit të Mynihut. “Duhet të rifillojmë nga kjo humbje, - ka qenë analiza e Trezegolit, - sepse në krahasim me dështimin kundër gjermanëve reagimi që ka patur skuadra kundër Barit ka qenë shumë pozitiv. Kemi patur shumë raste, por është një moment ku gjërat po shkojnë keq. Në dhomat e zhveshjes Ferrara ka qenë i karikuar më shumë se kurrë. Bashkë me të do të provojmë të ringrihemi në një ndeshje të rëndësishme si ajo kundër Katanias. Kemi dalë nga fusha me kokën lart”. Në fund, Nikola Legrotalie ka shfajësuar mbrojtjen. “Kur pësohen shtatë gola në dy ndeshje është e qartë se diçka nuk funksionon, por në rastin e golave të pësuar kundër Barit skuadra nuk ka patur faj: një devijim, një penallti dhe një gjuajtje nga jashtë zone na kanë ndëshkuar me një humbje që duhet të shërbejë si pikënisje për kthesë tek ne”, ka thënë mbrojtësi bardhezi.