14 dhjetor 2009

Diego dhe penallti: U kërkoj falje tifozëve

Mund të kishte qenë ndeshja e “idhujve të vjetër” që ndërkohë kanë përfunduar në stol, me Tiagon dhe Amaurin që kanë qenë të përzgjedhurit për një vend në formacionin titullar. Gjithçka për të krijuar kushtet ideale për brazilianin që ka kushtuar 25 milionë euro. Rezultati: një penallti e humbur, disa goditje dënimi të ekzekutuara shumë keq, dhe në rast se goli i Trezegesë nuk do të kishte ardhur nga një goditje në portë e Diegos, për brazilianin ajo kundër Barit do të kishte qenë një tjetër paraqitje zhgënjyese.
“Kemi krijuar shumë, fatkeqësisht nuk kemi arritur të shfrytëzojmë siç duhet rastet e krijuara. Përgjegjësia më e madhe më takon mua, pas asaj penalltie të humbur, që mund të kishte ndryshuar takimin. Më vjen shumë keq për atë gabim, e di se tifozët presin shumë nga unë. Por duhet të jetë e qartë, edhe pse kemi humbur kjo Juve ka ditur të luajë si një grup i bashkuar. Dhe kjo do të na ndihmojë të reagojmë menjëherë”, ka thënë në fund të takimit Diego.