10 dhjetor 2009

Sampi: Kasano vuan lënien jashtë kombëtares

Kasano vuan lënien jashtë nga kombëtarja. Këtë e siguron administratori i deleguar i Sampit, Bepe Marota, sipas të cilit, sulmuesi nuk po paraqitet mirë dhe është shumë nervoz për shkak të vendimit të Lipit. “Kasano po vuan për lënien jashtë Italisë, - tha drejtuesi i blukaltërve. - Si çdo futbollist, edhe ai ka si objektiv të veshë fanellën “axurre”. Tashmë është “e shkruar që nuk do të shkojë” në Botëror dhe vuan për këtë situatë. Trajneri Lipi ka të drejtë të bëjë zgjedhjet e tij që i sheh të arsyeshme. Në fillim të sezonit Kasano po luante shumë mirë dhe pas paraqitjeve të tij “u çmend” e gjithë tifozeria.
Pastaj pësoi një rënie fiziologjike dhe një pjesë e vogël njerëzish thanë që duhet të dijë ta menaxhojë veten. Nuk ka pasur asnjë protestë nga ana e tifozëve, - vazhdon Marota, duke iu referuar “grindjes” së barezit me tifozët, - por kur Kasano bën diçka, shndërrohet menjëherë në një “rrëmujë”. Ishin 500 vetë në stërvitje dhe pati vetëm një debat mes një tifozi e një lojtari. Vetëm kaq”.