10 dhjetor 2009

Kualjarela: Me “tredhëmbëshin” rrezikon Hamsik

Fabio Kualjarela është kthyer të shënojë kundër Barit dhe falë dygolëshit të tij, Napoli fitoi. Tani është gati të japë akoma një ndihmë të rëndësishme për skuadrën e Maxarrit. “Jemi një grup i shkëlqyer, shpresojmë që në maj të jemi në një renditje më të lartë, - tha sulmuesi i të kaltërve. - Kemi akoma rrugë për të bërë, por po zbavitemi shumë. Është e vërtetë që me tri sulmues mund të zbavitemi më shumë, por gjithsesi mund të humbasim pak në aspektin e ekuilibrit. Të mos harrojmë pastaj që Hamsik do të humbiste mundësinë e aktivizimit, ku ka një karakteristikë të veçantë, atë të përfshirjes së shpejtë në kundërsulm.
Në organikën e Napolit ka edhe sulmues të tjerë, ndaj s’më duket korrekte të flas vetëm për veten, Lavecin dhe Denisin. Përmes lojës mund të arrihen rezultatet. Gjatë një kampionati të tërë, ndeshje të tilla të rastisin pak, ndaj besoj se i duhet dhënë rëndësi cilësisë së lojës. Në këtë rast Maxarri është një siguri, sepse na kërkon të luajmë gjithnjë me topin pa e lëshuar shpejt në zonë”.