04 dhjetor 2009

Prandeli “gozhdohet” në stolin vjollcë

Trajneri i Fiorentinës premton: Të fitoj një trofe me Fiorentinën, pastaj në kombëtare
Siç dihet Marçelo Lipi në fund të Botërorit të Afrikës do ta lërë kombëtaren italiane dhe që tani lakohen disa emra të zëvendësuesve të tij të mundshëm. Mes tyre është edhe ai i Çezare Prandelit, që gjithsesi qetëson tifozët vjollcë: “Unë i jam borxhli këtij qyteti dhe deri sa të mos i kem shpërblyer për besimin, nuk lëviz nga Firence, - tha trajneri i Fiorentinës. - Dua të fitoj me këtë skuadër, sepse Firence është tashmë një pjesë e imja. Pastaj mund edhe të ndaloj ose të ndryshoj skuadër. Por këto janë momente, një rrëfim i sinqertë dhe i thjeshtë edhe për t’u çliruar nga një peshë. Por menjëherë pastaj mendoj për këtë qytet dhe mendoj ta bëj detyrën time me seriozitet.
Dua ta rris këtë skuadër dhe të bind pronarët mbi nevojën e investimit te ky grup”. Ndërkohë vëllezërit Dela Vale i kanë propozuar një rinovim të kontratës deri më 2011-ën: “Duke folur me ta, - tregon Prandeli, - kemi rënë dakord që do të takohemi në fund të kampionatit për të diskutuar e vlerësuar”. Me shumë mundësi, Fiorentina do të ketë një qendër sportive shumë të kërkuar nga Prandeli: “E kam kërkuar gjithnjë jo për vete, - vazhdon ai. - Për skuadrën, për qytetin dhe për imazhin e Fiorentinës.
Nëse do të realizohet, do të shërbejë për të organizuar ditë pune dhe mbledhur tifozët tanë”. Më pas trajneri bën një krahasim të skuadrës me Fiorentinën e vitit të kaluar: “Vitin e shkuar në një farë mënyre, u dashuruam shumë pas rezultateve të mira, - shpjegon Prandeli. - Këtë vit e kemi kuptuar që te rezultatet mund të arrihet vetëm duke luajtur mirë futboll”. Në fund Prandeli zbulon ëndrrën e tij për Fiorentinën: “Ëndërroj shumë, në të vërtetë ëndrra duhet realizuar, nuk duhet kufizuar asgjë. Kështu ndodh kur flas me fëmijët e mi kur u them atyre se çfarë ëndërroj me Fiorentinën. Dhe ëndrrat janë shumë të mëdha, mjaft të mëdha aq sa kam frikë që t’i tregoj…”.
Dueli i fantazistëve
Ronaldinjo dhe Kasano, “mbretërit” e pasimeve
Nesër te Milan-Sampdoria do të ketë edhe një sfidë në largësi që do t’i takojë brazilianit Ronaldinjo dhe talentit nga Bari Kasano. Dy lojtarët, për momentin respektivisht, gjënden në vend të dytë dhe të parë të renditjes së lojtarëve që kanë dhënë më shumë pasime për gol (7 sampdoriani, 6 milanisti). Dhe të imagjinosh se të dy lojtarët në fushë konsiderohen si “solistë”. Asgjë e gabuar: mjafton të pyetet Pacini apo Manini nëse do të “refuzonin” asistet e Kasanos, apo Pato e Borrielo për sa i takon Dinjos.
Janë këta lojtarët që zakonisht me ta dashurohen menjëherë tifozët. Mes të dyve gjithsesi është një ndryshim në shërbimin ndaj shokëve: lodhja e Pacinit dhe e Maninit, kur Kasanon u pason, është minimale. Shpesh mjafton ta shtyjnë topin në rrjetë me portën të boshatisur. Por ndryshon diskutimi për Ronaldinjon: pasimet e tij për shokët janë njëlloj spektakolare, por shpesh kërkojnë një sforcim të madh nga ana e finalizuesve (goli i Patos kundër Kaljarit, ishte një goditje “bilardoje”, i ardhur nga një prekje e ëmbël me të djathtën e Gauços). Por të përbashkët kanë edhe një tjetër fat: nëse Kasano pritet të mos grumbullohet në Botëror nga Lipi me Italinë, Ronaldinjo ka akoma shpresë nga thirrja e Dungës me Brazilin.