04 dhjetor 2009

Bajern Mynih, për t’iu afruar kreut

Bavarezët mund të ngushtojnë distancat me vendet e para, nëse fitojnë sot ndaj Mynshegladbahut
Bajerni i Mynihut shpreson të ngushtojë diferencat me vendet e para të Bundesligës dhe të sigurojë fitoren e dytë rradhazi në kampionat kur të presë sot në shtëpi rivalët e Borusias së Mynshegladbahut. Gjithashtu, Bajerni do të kërkojë të mbajë lart moralin para ndeshjes delikate, që do të zhvillojë mesjavën e ardhshme në Torino kundër Juventusit në Champions Ligë, ku bavarezët duhet të fitojnë patjetër nëse duan të kalojnë në fazën tjetër. “Ajo që e dallon një kampion nga të tjerët është se ai përqendrohet vetëm tek ndeshja e radhës.
Që është kundër Mynshegladbahut, Juventusi vjen pas kësaj”, ka thënë trajneri i Bajernit, Luiz van Gal, ditën e djeshme. Në fushën e tij, Bajerni vjen nga një fitore 3-0 kundër Hanoverit dhe një nga paraqitjet më të mira të bëra në këtë sezon. Pas 14 ndeshjesh, Bajerni ndodhet në vendin e katërt në kampionat me 24 pikë, gjashtë më pak se kryesuesit e Leverkusenit. Verder Bremen, që ka 27 pikë dhe Shalke, 25 pikë, do të luajnë ditën e diel.
“Gjashtë pikë nuk janë një diferencë e madhe”, ka thënë Van Gal. Bajerni do të ketë në favor edhe historinë, në takimin e sotëm kundër Mynshegladbahut. Kjo skuadër ka fituar vetëm një herë në Mynih, në dhjetë vitet e fundit. Asnjë skuadër tjetër nga ato që aktualisht luajnë në Bundesligë nuk ka pësuar më shumë humbje kundër Bajernit sa Mynshegladbahu, 31 në 41 ndeshje. Borusia ka fituar 5 kampionate në vitet 70-të, por në dy dekadat e fundit ka luftuar më shumë për të mos rënë nga kategoria. Në këtë sezon skuadra duket se ka gjetur një ekuilibër me blerjen e disa lojtarëve të rinj dhe me marrjen e drejtimit nga ana e trajnerit Mikael Frontzek.
“Ata nuk pësojnë një humbje prej pesë ndeshjesh dhe gjithashtu kanë mundur Hamburgun dhe Shalken. Po kalojnë një moment të mirë forme dhe skuadra të tilla nuk është e lehtë t’i mundësh”, ka thënë trajneri i bavarezëve. Mynshegladbahu ka fituar tre nga katër ndeshjet e fundit, dy nga këto në transfertë, dhe ndodhet në vendin e 11-të me 18 pikë.
“Ne do të shkojmë në Mynih pa asnjë frikë. Nuk jemi nën presion si në të kaluarën. Skuadra jonë është përmirësuar”, ka thënë Maks Eberl, drejtori sportiv i Borusias. Marrja e lojtarëve si Huan Arango dhe Rauk Bobadila e kanë ndihmuar skuadrën, teksa Dante është kthyer në një nga qendërmbrojtësit më të mirë të kampionatit pasi ka kaluar tek Borusia vitin e kaluar. Nga ana tjetër, pas disa javëve të turbullta, Bajerni duket se e ka rimarrë veten dhe fitorja bindëse e arritur kundër Hanoverit i ka çuar ata në vendin e katërt në kampionat.
Drejtuesit bavarezë shpresojnë që rikthimi i Riberisë dhe Robenit nga dëmtimet do të ndihmojnë më shumë Bajernin, edhe pse asnjë nga këta dy lojtarë nuk pritet të luajë sot. Ka shumë mundësi që Riberi të mungojë edhe kundër Juventusit, ndërsa Roben mund ta fillojë ndeshjen nga stoli. Sulmuesi Luka Toni, marrëdhënia e të cilit me Van Galin nuk është aspak e mirë, duket se do të qëndrojë sërish në stol, me Ivica Oliç dhe Mario Gomez që do të udhëheqin sulmin e Bajernit.
“Kur gjithçka shkon mirë dhe kur fiton besim tek vetja, atëherë loja mund të ndryshojë”, ka thënë Gomez. Ndërkohë, presidenti i Bajernit, Karl-Hajnz Rumenige e ka cilësuar Gomezin si sulmuesin më të mirë të Gjermanisë dhe një “investim për të ardhmen”. “Ai ishte në merkato dhe nëse ne nuk do ta kishim marrë do të kishte qenë një gabim i madh”, ka thënë Rumenige
. Kryesuesit e Bajer Leverkusenit do të udhëtojnë drejt Hanoverit të shtunën. Ndërsa, Verder Bremen, i pamposhtur në 21 ndeshje në të gjitha kompeticionet, do të udhëtojë drejt Këlnit të dielën, me Shalken që do të presë, po këtë ditë, Hertën e Berlinit