05 dhjetor 2009

Milani mposht Sampdorian

Skuadra e Milanit ka shënuar fitore bindëse përballë Sampdorias duke mposhtur në San Siro me rezultat 3-0.
Rossonerët arritën që brenda 24 minutash të shënojnë tre gola dhe kështu e fituan ndeshjen që në pjesën e parë.
Me të filluar takimi (2’), Marco Borriello shfrytëzoi një krosim të Ronaldinhos për të mposhtur portierin Castellazzi.
Në minutën e 21-të, mesfushori holandez Clarence Seedorf dyfishoi rezultatin ndërsa sërish asistues ishte Ronaldinho.
Tre minuta më pas (24’), Alexandre Pato depërtoi në gjashtëmbëdhjetëmetërsh për ta vulosur ndeshjen duke shënuar golin e tretë të Milanit.
Me tri pikët e reja, Milani gjendet vetëm katër prapa liderit Inter, dhe pret gabimin e kampionit në përballjen e të shtunës ndaj Juventusit, ashtu që të ngushtojë diferencën e pikëve.