05 dhjetor 2009

Humbja e tretë e Chelseat

Ndeshja kryesore e javës së 15-të në Ligën Premier është zhvilluar të shtunën në stadiumin e qytetit të Mançesterit, ndërmjet Manchester Cityt dhe Chelseat.
‘Pasanikët’ kanë arritur t’ua shkaktojnë humbjen e tretë të sezonit Bluve, të cilët i kanë mposhtur me rezultat 2-1.
Të parët kaluan në epërsi mysafirët, kur sulmuesi i Cityt, Emmanuel Adebayor, gaboi portën (8’).
Mirëpo, i njëjti lojtar përmirësoi gabimin e tij në minutën e 37-të duke barazuar rezultatin në 1-1, dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.
Në pjesën e dytë, vendasit kaluan në epërsi me një gol të shënuar nga Carlos Tevez, i cili e mposhti portierin Cech nga gjuajtja e lirë.
Ky gol rezultoi të ishte goli i fitores për ‘pasanikët’, pasi që mysafirët nuk arritën ta barazonin rezultatin as nga penalltia, kur Franck Lampard dështoi të shënonte nga njëmbëdhjetë metra (83’).
Me këtë fitore, City ngjitet në pozitën e gjashtë duke e zhvendosur Liverpoolin në të shtatën, ndërsa Chelsea tash është vetëm dy pikë para Manchester Unitedit.