03 dhjetor 2009

Luçiano Moxhi: Calciopoli?

Ndërkohë që në Napoli po zhvillohet procesi penal, Luçiano Moxhi përsërit për të disatën herë se "Calciopoli nuk ka ekzistuar kurrë". Ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit theksoi në mikrofonat e radio "Kiss Kiss": "Skandali i shpërthyer në Itali është thjesht gabim i gjyqtarëve, asgjë më shumë". Sipas "Big Luçianos", që gjatë javës së kaluar u shpall i pafajshëm nga gjykata e Torinos, së bashku me Xhiraudon dhe Betegan, për mënyrën sesi drejtohej klubi bardhezi, "gabimet e gjyqtarëve kanë qenë gjithmonë të pranishëm në Serinë A, por tashmë arbitrit po gabojnë në sasi industriale. Nënshtrimi psikologjik i "xhaketave të zeza" ekziston prej aq kohësh sa ekziston edhe futbolli. Aktualisht gabimet janë më të dukshme, ndërsa Kolina më duket si një mjek që studion efektet e sëmundjeve gjatë kohës që pacienti është duke vdekur. Calciopoli ekziston vetëm në mendjen e atyre që donin të na shkatërronin dhe sepse klubi nuk na mbrojti".