22 dhjetor 2009

Laporta: Guardiola po mendohet për rinovimin

Presidenti i Barcelonës: Pep nuk është një njeri që ngutet dhe më ka kërkuar kohë për kontratën e re
Presidenti i Barcelonës, Huan Laporta, ka thënë se shpreson që trajneri Pep Guardiola të rinovojë kontratën e tij me klubin pas vitit më të suksesshëm në historinë e këtij klubi. Sipas mediave spanjolle, Guardiola i ka kërkuar klubit kohë që të reflektojë për atë që ka ndodhur vitin e fundit, para se të nënshkruajë një kontratë të re. Ai e mori Barçën në vitin 2008, duke nënshkruar një kontratë dyvjeçare para se t’i drejtonte ata në fitimin e gjashtë trofeve.
Duke qenë se kontrata e tij skadon në fund të këtij sezoni, klubi është i interesuar ta ketë Guardiolën edhe për disa vite dhe për këtë arsye presidenti Laporta është duke u përpjekur që prej disa muajsh ta bindë atë të nënshkruajë një kontratë të re. Megjithatë, Guardiola nuk dëshiron të ngutet që të firmosë kontratën e re pa u bërë zgjedhjet presidenciale në klub, që të shohë se nga do të jetë balanca e pushtetit.
“Pepe më ka thënë se ka nevojë për kohë që të vendosë për rinovimin e kontratës. Ai dëshiron të reflektojë për fitoret e arritura dhe jam i bindur se pushimet dimërore do t’ia lehtësojnë këtë gjë”, ka thënë Laporta. “Ne e dimë se ai është njeri që nuk ngutet dhe e njeh shumë mirë situatën në klub. Ai dëshiron të firmosë, por ka edhe disa faktorë që kërkojnë reflektim. Personalisht jam pesimist që do të jetë me ne edhe më tej. Ne e kuptojmë rëndësinë e një marrëveshjeje të tillë dhe të pasjes së një projekti, prandaj kemi shpresa që Pep do të firmosë para fundit të sezonit.”
Robinjo ‑ Presidneti i Barcelonës ka mohuar mundësinë e futjes në merkaton e janarit për sulmuesin Robinjo të Mançester Sitit. Laporta ka thënë dje se klubi anglez e kishte refuzuar ofertën e Barcelonës për sulmuesin brazilian. Laporta është takuar me pronarin e Mançester Sitit, Haldun Al Mubarak, në Abu Dhabi, javën që shkoi. “Oferta jonë për Robinjon nuk u pranuar dhe ne nuk do të blejmë lojtarë të tjerë në janar, me përjashtim të ndonjë blerjeje urgjente.
Ne jemi shumë të kënaqur me skuadrën që kemi. ” Barcelona mundi skuadrën Estudiantes nga Argjentina duke fituar Botërorin Klubeve të shtunën, dhe u bë skuadra e parë në botë që fiton gjashtë trofe në një vit. Klubi i Ajaksit ka fituar pesë trofe dy herë. “Ky titull na bën ne skuadrën më të mirë në historinë e klubeve dhe do të jetë një rekord i pathyeshëm”, ka thënë Laporta.