16 dhjetor 2009

Lajme per Futbollistet dhe Futbollin Shqiptare

Mainc, Jahmir Hyka në listën e largimeve

Rrugët e Jahmir Hykës dhe Maincit pritet të ndahen në merkaton e janarit. E ardhmja e mesfushorit në skuadrën e Bundesligës është seriozisht në dyshim, pasi 21-vjeçari është përfshirë në listën e "spastrimeve" të trajnerit Tushel. Skuadra ka regjistruar një ecuri mjaft të mirë në elitën e futbollit gjerman, ku renditet e teta me 24 pikë dhe stafi teknik kërkon përforcime. Por, blerjet do të shoqërohen me shtatë largime, mes të cilëve figuron edhe Hyka. Fakti interesant është se kuqeziu, është i vetmi mes lojtarëve që priten të largohen me moshën më të vogël. Në përgjithësi, lista emërore krijon idenë se "fshesa" po bëhet për të rinovuar ekipin, duke qenë se përveç Hykës, dy lojtarë janë 29-vjeçarë, njëri është 31, dy të tjerë janë 33 dhe i fundit është 36-vjeçar. Në 16 ndeshje, shqiptari është aktivizuar vetëm pesë herë, për një total prej 81 minutash lojë.

Salihi në "Top-11" të Bundesligës austriake

Hamdi Salihi, përveç golave të shumtë të shënuar në këtë pjesë të parë të sezonit të kampionatit austriak, i ka bindur të gjithë se ai meriton të jetë në mesin e lojtarëve më të mirë të vitit në Bundesligën austriake të futbollit (Tipp3 Bundesliga). Një gjë e tillë është bërë e njohur nëpërmjet sondazhit të bërë publik nga stacioni i njohur televiziv austriak ORT. Bomberi shqiptar, i cili ka realizuar gjithsej 12 gola në 19 ndeshjet e para të këtij sezoni (2 me bluzën e ish-skuadrës, Ried dhe 10 me Rapidin e Vjenës), është një nga dy sulmuesit më të mirë të përzgjedhur për skuadrën më të mirë të vitit në Austri. Në krah të tij qëndrojnë Gebauer (Ried), Sekagya (Salzburg), Soma (Rapid), Dragoviç (Austria), Hofmann (Rapid), Schiemer (Salzburg), Acimoviç (Austria), Jançer (Sturm), Valner (LASK), Janko (Salzburg).

Gilman Lika: Ndiej keqardhje për Vllazninë

Është kthyer në vendlindje për t‘u rehabilituar pas dëmtimit që ka pësuar në Ligën 1 turke (kategorinë e dytë). I ndodhur në Shkodër, për Gilman Likën ishte e paevitueshme që të vizitonte Vllazninë, skuadrën e qytetit ku është rritur dhe ku është formuar si futbollist, ngjyrat e së cilës i ka mbrojtur deri në vitin 2008. Mesfushori i Kombëtares ka shprehur keqardhje për situatën ku ndodhen kuqeblutë e drejtuar nga Roland Luçi, që gjatë këtij sezoni luftojnë për të mbijetuar në Superiore. "Më vjen keq për Vllazninë. Kjo është një prej skuadrave më të rëndësishme në vend, e natyrisht që askush nuk mund të jetë i kënaqur që e sheh në pozita të tilla në tabelë", deklaroi 22-vjeçari. Më tej, ai foli edhe për Kombëtaren: me paraqitjet e bëra, Lika ka fituar një vend fiks në kontingjentin e drejtuar nga Josip Kuzhe, madje "lufton" edhe për një fanellë titullari. "Shpresoj që përfaqësuesja të jetë më e suksesshme në vitin 2010 nga sa ishte në edicionin e kaluar. Tashmë presim të njohim kundërshtarët e eliminatoreve të Euro 2012 dhe më pas drejtuesit dhe stafi do të mund të përcaktojnë objektiva konkretë", nënvijëzoi lojtari. Në fund edhe dy fjalë për Bolusporin, ngjyrat e së cilës i mbron në kampionatin turk: "Kemi një ecuri të mirë në ligën e dytë, por megjithëse renditemi pranë zonës ‘play-off‘, skuadra nuk ka pretendime të mëdha".

FSHF & UEFA-n për fusha stërvitore

Organizmi më i lartë i futbollit në Europë, UEFA, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit po vazhdojnë projektin e ndërtimit të fushave stërvitore të klubeve shqiptare të futbollit. Ky bashkëpunim është duke u ardhur në ndihmë skuadrave kryesisht të Kategorisë Superiore, duke financuar instalimin e fushave stërvitore. Bëhet fjalë për fusha stërvitore me bar artificial, të cilat janë parashikuar nga projekti "Hattrick 2" i UEFA-s. Tri fushat e para që po instalohen janë për klubet e futbollit të Teutës, Vllaznisë dhe Besës. Së shpejti pritet të fillojë puna dhe te fushat stërvitore të Dinamos dhe Apolonisë. Ky është një lajm i mirë për disa klube shqiptare, të cilat në mungesë të fushave stërvitore, kanë shfrytëzuar në maksimum fushat ku luhen ndeshjet e kampionatit, duke i dëmtuar ato.

Jupa: Së shpejti tubohet Përfaqësuesja e të rejave

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës për femrat, Ismet Jupa, ka thënë se në fillim të muajit janar do të tubohet përfaqësuesja e kategorive të reja në hendboll. Sipas tij do të zhvillohet përgatitjet disa ditore dhe do të jenë të mirëseardhura. Qëllimi i këtyre përgatitjeve do të jetë edhe pjesëmarrja në një turne ndërkombëtar që janë ftuar në Bullgari. Zyrtarët e Federatës së Hendbollit të Kosovës presin edhe konfirmimin zyrtar nga Federata e Hendbollit të Bullgarisë që të dinë më saktësisht edhe datën e saktë të turneut. Jupa ka thënë se çdo zhvillim i ndeshjes miqësore ndërkombëtare apo pjesëmarrje në turne të ndryshëm do të jetë frytdhënës.

Lideri rrëzon rivalin e radhës

Në javën e 15-të të Superligës së Shqipërisë në futboll, kryesuesi i këtij kampionati, Dinamo, që nuk e njeh humbjen deri tani, ka pritur në shtëpi nënkampionen në fuqi, Vllazninë. Ndeshja në fjalë ka prodhuar goleadë, plot 6 gola, nga të cilët, katër për vendësit blu dhe dy për miqtë shkodranë. Shumë shpejt, në gjysmë ore lojë, Dinamo ka kaluar në epërsi 2:0, falë golave të Sefës dhe Bakajt. Një goditje e rëndë për Vllazninë, në radhët e së cilës kishte mjaft mungesa, duke nisur me portierin Grima, për të vijuar me Smajlin, Osjen, Sinanin etj. Por, kur mendohej se Vllaznia ishte dorëzuar pas këtij disavantazhi të shpejtë, ka ndodhur e kundërta. Po kaq shpejt, sa ka shënuar dy golat e parë Dinamo, është kundërpërgjigjur edhe Vllaznia, me golat e Rajovic me kokë dhe të Elvin Beqirit. Me këtë rezultat, 2:2, ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes, çka të linte të kuptoje se 45 minutat e dyta do të ishin edhe më të zjarrta. Mirëpo, është përsëritur ritmi i pjesës së parë për Dinamon, e cila, përmes Sefës, e ka dërguar në 4:2 rezultatin, i cili ka mbetur deri në fund i pandryshuar. Kjo, qoftë për meritë të bluve, që kanë ruajtur të paprekur epërsinë, por edhe për dobësi të miqve, që nuk kanë mundur dot të shfrytëzojnë ato raste që krijuan në portën e Kotorrit. Në këtë mënyrë, Dinamo mund pastër Vllazninë, duke mbetur e pandalshme në rrugën e saj drejt titullit kampion, në pritje të zhvillimit të ndeshjes së të enjtes, mes Besës dhe Tiranës, për të parë nëse verdhezinjtë do të fitojnë dhe do ta ndjekin me 12 pikë diferencë, apo do të bëjë ndonjë surprizë Tirana në Kavajë, duke e larguar edhe më skuadrën e Shpëtim Duros nga kryesuesit. Skuadra fierake, Apolonia, ka pritur në shtëpi Laçin, në përpjekje për të bërë autokritikë, pas asaj humbjeje shokuese në Peqin, të shtunën e kaluar. Në rezultat, ç’ është e vërteta ia ka arritur, pasi ka mundur 2:0 kurbinasit, por me lojë ka zhgënjyer jo pak. Këtu kemi parasysh se pjesa më e madhe e ndeshjes është luajtur në gjysmëfushën fierake, ku Laçi ka ushtruar presion të madh, por nuk ka konkluduar dot rastet e shumta. Ndoshta në këtë anim të lojës në favor të miqve ka ndikuar edhe dalja me karton të kuq e Kelmendit të Apolonisë, qysh në minutën e 10-të të lojës. Gjithsesi, falë kundërsulmit të shpejtë, me në krye Bërkic, Apolonia e ka gjetur dy herë rrugën e golit, duke zhvlerësuar kësisoj gjithçka, edhe volumin e madh të lojës, të krijuar nga miqtë. 2:0 ka fituar skuadra e drejtuar nga Hasan Lika, duke u ripozicionuar në vendin e tretë, në pritje të asaj që do të arrijë një ditë më pas Tirana në Kavajë. Në Krujë, Kastrioti ka pritur Shkumbinin, me të cilin u ndesh edhe në 1/16 finale të Kupës së 58-të të Shqipërisë. Krutanët kanë shfryrë dufin kësaj here, teksa kanë shënuar plot 4 gola në portën peqinase. Me vetëm një gol për miqtë, rezultati përfundimtar i ndeshjes në fjalë, 4:1, nuk ka lënë vend për komente. Sukses i merituar i Kastriotit, që rigjen fitoren, pas disa rezultateve jopozitive në javët e shkuara. Në Durrës u luajt derbi bregdetar, mes Teutës dhe Flamurtarit. Një gol e ka bërë diferencën në këtë sfidë, që i përket Teutës, e cila ka fituar 1:0 dhe ka marrë 3 pikët. Tjetër dështim për vlonjatët, që janë në pikë të hallit, të fundit në renditje. Një tjetër derbi, i fqinjëve juglindor, Gramozi-Skënderbeu, u luajt në stadiumin pa tifozë të Ersekës. Gramozi e ka fituar ndeshjen me rezultat 2:0 dhe rrit shpresat për mbijetesë.

Rezultatet

Gramozi- Skënderbeu 2:0
Apolonia-Laçi 2:0
Dinamo-Vllaznia 4:2
Kastrioti-Shkumbini 4:1
Teuta - Flamurtari 1:0
Besa-Tirana


Tabela

1. Dinamo 15 13 2 0 31:9 41
2. Besa 14 7 5 2 13:6 26
3. Apolonia 15 7 3 5 23:17 24
4. Tirana 14 6 4 4 14:11 22
5. Teuta 15 7 1 7 16:20 22
6. Kastrioti 15 5 4 6 16:17 19
7. Shkumbini 15 5 3 7 15:18 18
8. Laçi 15 4 5 6 14:16 17
9. Vllaznia 15 4 3 8 12:19 15
10. Gramozi 15 3 6 6 11:18 15
11. Skënderbeu 15 3 5 7 16:20 14
12. Flamurtari 15 2 5 8 9:19 11

Zeka: Ballkani është skuadër serioze

Futbollisti më përvojë, Haxhi Zeka, që luan në radhët e Besës së Pejës, më të dëgjuar se në çerekfinale të kupës do të luajnë me Ballkanin, shprehet mjaft i matur. “Në ligën e parë ka skuadra të forta dhe Ballkani është lider i tabelës. Prandaj, për rival e kemi në çerekfinale, mirëpo nuk e nënçmojmë në asnjë mënyrë. Ndaj Ballkanit do të luajmë sikurse me një ekip me traditë dhe do të angazhohem me të gjitha forcat. Në ligën e parë bëjnë gara gjysma e skuadrave që ishin në Superligë dhe kjo dëshmon se Ballkani është ekip sa serioze aq edhe i fortë. Nuk shkojmë me synime favorizuese dhe të na zë në gjumë rivali, por do të jemi të matur e syçelë”, tha Zeka.

Gjonbalaj: Flamurtari paguan më së miri

Malësor Gjonbalajt as që i shkon mendja të largohet nga skuadra e futbollit Flamurtari i Prishtinës. “Flamurtari është skuadra më korrekte. I ka kryer të gjitha obligimet ndaj meje. Është skuadër që paguan më së miri dhe nuk kam asnjë arsye të mendojë që ta braktisi skuadrën. Do të isha shumë i lumtur nëse renditemi në mesin e tabelës në fund të kampionatit. Pra, synimi ynë është sigurimi i ekzistencës dhe as që mendojmë për pozitë më të lartë”, tha Gjonbalaj. Këto synime të tija janë shumë interesante kur dihet se Flamurtari në vjeshtë ka zënë vendin e tretë me 27 pikë dhe vetëm pesë pikë është larg liderit të tabelës, Trepçës.

Në çerekfinale takohen Hysi-Liria

Ndeshja më joshëse e çerekfinales së Kupës së Republikës së Kosovës në futboll do të zhvillohet në mes fituesit të kupës, Hysit nga Podujeva dhe Lirisë nga Prizreni. Kjo ndeshje do të njëra prej përballjeve më atraktive të çerekfinales, duke pasur për bazë potencialin e futbollistëve cilësorë që kanë si njëra palë dhe skuadra tjetër. Hysi skuadër që vazhdimit po sjellë përforcime cilësore dhe që ka ambicie jo vetëm ta mbrojë kupën, por njëherësh kërkojnë edhe titullin e kampionit. Kohët e fundit edhe Liria e Prizrenit nuk qëndron duarkryq por ngjesh radhët me futbollistë cilësorë. Hysi-Liria pritet të jetë sa interesant, aq edhe takim i paqartë se kush do ta sigurojë shkuarjen në gjysmëfinale. Të dyja skuadrat kanë kohë që të përgatitem, pasi ndeshja e parë luhet me 24 shkurt në Podujevë, ndërsa ajo e kthimit pas katër ditëve respektivisht me 28 shkurt në Prizren. Besa e Pejës ka qenë skuadra që i ka buzëqeshur fati në kupë. Ajo do të ketë përballë Ballkanin e Therandës, që bën pjesë në ligën e parë të Kosovës. Pejanët me futbollistë më përvojë synojnë të gjenden në pjesën finale. Vëllaznimi i Gjakovës në edicionin vjeshtor ka hasur ne telashe të ndryshme do të takohet me Drenicën e Skenderajt, që ka një skuadër kompakte. Gjakovarët shpresojnë deri në pranverë të konsolidohen dhe të paktën të luftojnë për trofeun e kupës. Drenica që shumë herë ka qenë edhe skuadra më befasuese në kupën e Kosovës, prapë është e bindur se do të arrijë lartë në këtë garë të rëndësishme. Lideri i tabelës së Superligës së Kosovës, Trepça nga Mitrovica, vlerësohet si favoritë në garat e kupës. Mitrovicasit me një fond të pasur të futbollistëve, me cilësi të larta llogarisin të kalojnë pa vështirësi Gjilanin. Kryetrajneri i Gjilanit, Muharrem Sahiti, ka ambicie që ta fitojë kupën e Kosovës. Gjilani pasi ka humbur të gjitha gjasat për titull, të vetmen mundësi që të sjellë një trofe e konsideron kupën e Republikës së Kosovës. Në përgjithësi secili takim pritet të ketë rivalitetin e vet, përveç Besës që konsiderohet më e favorizuara se të tjerat. Skuadrat të tjera duhet të djersiten më shumë për të arritur cakun e dëshiruar.

Takimet çerekfinale

Hysi - Liria
Vëllaznimi - Drenica
Besa - Ballkani
Trepça - Gjilani


Nga Bolivia në Kosovë!

Eroll Vitaku, drejtor i skuadrës së futbollit Trepça nga Mitrovica, e mbajti premtimin e dhënë ditë më parë se do të përforcohet me futbollistë jashtë Republikës së Kosovës. Këtë gjë e bëri në ditën e mërkurë, duke sjellë një futbollistë futbollist të dëshmuar nga Bolivia, por që është shqiptarë nga Maqedonia. Bëhet fjalë për mesfushorin e skuadrës La Paz nga Bolivia, Nuriman Ismaili, përndryshe është edhe reprezentues i kombëtares U-21 të Maqedonisë në futboll. Ismaili ka lënë skuadrën nga Bolivia dhe ka nënshkruar për një vit e gjysmë me skuadrën me traditë Trepçën, e cila është edhe kampione vjeshtore. Arsyet e ardhjes në këtë skuadër të njohur nga Kosova, sipas Ismaili janë kushtet e mira që i janë ofruar nga skuadra mitrovicase. Në zyrën e Federatës së Futbollit të Kosovës, Nuriman Ismaili nënshkroi kontratën me KF Trepçën në prani të zyrtarëve të FFK-së. “Kam luajtur një kohë në radhët e skuadrës La Paz nga Bolivia, por kushtet e ofruara nga Trepça dhe emri i saj më traditë me joshën që të firmosi për një vit e gjysmë më këtë skuadër. Mendoj se me Trepçën nuk do të lëshojmë vendin e parë deri në fund të kampionatit. Nuk kam edhe aq njohuri kohët e fundit për futbollin e Kosovës sepse më shumë isha në Bolivi, por e di që më pret një sfidë e vështirë në skuadrën e re. Besoj që me futbollistë të tjerë do t’i shpalosi vlerat e mija dhe do t’i kënaqim edhe adhuruesit e futbollit”, ka thënë Ismaili, pas nënshkrimit të kontratës me Trepçën. Mitrovicasit janë kampion vjeshtor me 32 pikë dhe kanë dy pikë më shumë se Hysi nga Podujeva. Eroll Vitaku tha se ky nuk është edhe përforcimi i fundit, por brenda pak ditësh do të sjellin dhe një futbollistë të dëshmuar. “Jemi në negociata edhe me një futbollistë cilësorë dhe që pritet brenda disa ditëve të arrijmë marrëveshjen. Synimi ynë është të sjellim futbollistë më cilësi të larta, të bëjmë lojë sa më të pëlqyeshme dhe të kenë shikuesit se çka të shohin në ndeshjet kampionale. Nuk është nganjëherë edhe rezultati në plan të parë, por duhet të bëjmë edhe futboll të bukur që të krijojmë spektakël në stadiume”, ka thënë Vitaku. Trepça pas 17 viteve synon ta rikthejë titullin e kampionit në Mitrovicë dhe gjasat i shohin tejet të mëdha, duke pasur parasysh investimet që janë duke bërë kohët e fundit.