Sinan Bardhi, në prag të largimit nga Turbina
Trajneri kryeqytetas i ka paraqitur dorëheqjen presidencës, që nuk ka dhënë ende përgjigje.
Duke parë rezultatet e javëve të fundit, por duke bërë edhe një përmbledhje të fazës së parë, trajneri i Turbinës, kryeqytetasi Sinan Bardhi, duket se është në prag të largimit nga skuadra cërrikase. Gjithçka është bërë e ditur nga vetë trajneri Bardhi, i cili, i kontaktuar nga “Sporti shqiptar”, ka njoftuar se i ka kërkuar presidencës të largohet nga stoli i Turbinës dhe tani është në pritje të përgjigjes.
Bëhet e ditur se shkak i kësaj dorëheqjeje të mundshme janë një sërë problemesh të krijuara së fundi nga krerët e financave të klubit cërrikas: presidenca dhe bashkia e qytetit. Këto të fundit, vetëm pak ditë më parë, kanë prishur një marrëveshje, që ka sjellë pasoja në skuadër, gjë që e tregojnë rezultatet. Sipas trajnerit Bardhi, largimi i tij nga Turbina është “thikë me dy presa”, pasi veç kështu krerët mund të reagojnë pozitivisht për ta shpëtuar skuadrën nga rënia një kategori më poshtë. “Mendoj se nuk kam më çfarë të drejtoj te skuadra cërrikase, edhe pse grupi i futbollistëve ka sakrifikuar shumë deri tani. Kam kërkuar largimin nga Turbina, pasi përveç imazhit tim, nuk kërkoj të më ngrenë një lapidar në Cërrik. Më vjen shumë keq që një skuadër si Turbina të përfundonte deri në këtë pikë, por ka ardhur koha që financuesit të reagojnë në mënyrë të rrufeshme”, - është shprehur trajneri Sinan Bardhi për “Sportin shqiptar”.
Nga ana tjetër, trajneri që ka fituar prej kohësh simpatinë e sportdashësve cërrikas, jep edhe një tjetër sinjal pozitiv. Ai bën të ditur se në lojë janë edhe 54 pikë nga ky kampionat, por për të tentuar këtë sfidë profesionale, trajneri Bardhi u bën thirrje ortakëve të ulen në tryezën e rrumbullakët, me qëllim shpëtimin e Turbinës. “Nuk them se do të bëj ndonjë çudi, si Aladini me llambën, por garantoj se vetëm përmes frymës së harmonisë Turbina do të mund t’ia dalë të marrë frymë lirisht. E theksoj se dorëheqja ime vjen si shkak i mosmarrveshjeve midis drejtuesve. Qëndrimi im në krye të Turbinës do të ishte kontradiktor me rezultatet e ardhshme”, - ka përfunduar trajneri Bardhi. Ai është konsideruar si “trajneri i hekurt” në Cërrik, ku ka një eksperiencë disavjeçare, me ndonjë shkëputje. Largimi i tij i mundshëm shihet si një fundosje për skuadrën nga specialistët e futbollit në Cërrik.
Kola ka një “peng”: Burreli mund të fitonte më thellë!
Edhe pse matjanët arritën të fitojnë 2-0 kundër Gramshit, përsëri kërkesa e llogarisë ndaj tyre është në rritje. Rezultati që morën të shtunën në “Liri Ballabani”, me të vërtet ju dha 3 pikë dhe dy vende më lart në renditje, por në atë ndeshje duhej të tregoheshin më lart në nivelin e lojës dhe në finalizim.
Lojtarët matjanë shprehen të kënaqur me atë rezultat, pasi edhe terreni ku u zhvillua ndeshja, nuk lejonte për më shumë, por për zëvendëstrajnerin Lulzim Kola, Burreli duhej të kishte shënuar më shumë gola. Sipas tij, të paktën edhe një gol i duhej ekipit të Burrelit në atë 90-minutësh: “Patëm shumë raste për të shënuar dhe them se duhej të kishim bërë më shumë. Megjithatë, jam i kënaqur nga ekipi që drejtoj, sepse po përmirësohet në krahasim me fillimin e kampionatit. Jemi në rrugën e duhur, që do të thotë se ngjitja e Burrelit do të vazhdojë. Tashmë edhe Elbasani e ka kuptuar humbjen në “Liri Ballabani”, sepse Burreli është një ekip i mirë dhe luan bukur. Nuk fitojmë nëpërmjet dhunës apo shantazhit ndaj drejtuesve kundërshtarë dhe gjyqtarëve, siç pretendojnë elbasanasit. Në Burrel ka ngrohtësi dhe mikëpritje, këtë e kemi treguar gjithmonë.
Shfrytëzoj rastin për t’i falënderuar sportdashësit matjanë për mbështetjen që na dhanë edhe këtë javë me Gramshin. Dua t’i përgëzoj, pasi qëndruan për 90‑të minuta nën shi për ta përkrahur ekipin e tyre të zemrës”, - tha për “Sportin shqiptar” numri 2 i stolit matjan, Kola. Matjanët, pas javës së 12-të, nga vendi i nëntë kanë kaluar në të shtatin, falë 3 pikëve që morën me Gramshin. Lojtarët e Burrelit duken të vendosur për rezultat pozitiv edhe në ndeshjen e radhës, pasi kanë shpresa se mund të zënë një vend në 4-shen e parë të renditjes.
Bano: Gjykimi i hoqi dy pikë Lushnjës
Trajneri Artan Bano mendon se gjykimi pati ndikim të drejtpërdrejtë në barazimin me ballshiotët.
Lushnjarët nuk arritën të fitonin me Bylisin kryesues në “Roza Haxhiu”, ku gjithçka u mbyll në barazim, 0-0. Në fakt, ndeshja u mbulua edhe me një mantel jo të hollë konfrontimesh fizike, shpesh përtej normave të lejuara të futbollit. Lushnjarët nuk kanë pësuar gol, pasi për të shënuar kishin një rrugë të bllokuar nga portieri i Bylisit, Egbo, i cili ka meritën kryesore në atë rezultat. Kronika e ndeshjes ishte e mbushur me plot raste për verdhëjeshilët, të cilët iu afruan shumë golit në pjesën e parë, por Egbo, me intuitën dhe veprimet e tij të sakta, e ndali të paktën 4 herë topin të mos shkonte në rrjetë.
Ndërsa pjesa e dyta ka rezervuar shumë vend për moviolë edhe për mendimin e specialistëve të futbollit. Lushnjarët kanë dyshime për golin e anulluar për pozicion jashtë loje, si dhe për një 11-metërsh të mohuar nga gjyqtari Janku. Kundërshtari, nga ana e tij, ishte mjaft i përgatitur për të marrë atë që donte, pra të kthehej me pikë nga Lushnja. Bylisi nuk e ka lejuar skuadrën lushnjare t’i afrohet në klasifikim, kurse të besuarit e Banos mendonin ndryshe. Ata e nisën lojën me grintë mjaft të madhe, duke kërkuar golin, por gjërat rrodhën ndryshe.
Formacioni lushnjar, me një sulmues të vetëm, ashtu si në ndeshjen e Kupës me Tiranën, nuk ka funksionuar si duhet. Dorian Bubeqi ka qenë mjaft larg mesfushorëve të shtuar në këtë repart dhe nuk është gjendur në vendin e duhur. Atij i duhej jo vetëm të çlirohej nga mbulimi i rreptë i mbrojtjes kundërshtare, por edhe të bënte veprime individuale sulmuese, kur mbështetja i mungonte.
Kështu, kanë munguar rastet e pastra të shënimit për lushnjarët, ndërsa kundërshtari ka kundërsulmuar rrezikshëm dhe ka shfaqur grintë tej dozës normale, të karikuar ndoshta edhe nga mediatizimi i tepërt i kësaj ndeshjeje, që shpesh prodhoi edhe tension të panevojshëm nga ana e futbollistëve. Në shumicën e rasteve dukej sikur ballshiotët ishin të instruktuar ta bënin një gjë të tillë si profesionistë. Aq mjaftonte, që në fushë dhe në shkallët e stadium të krijoheshin pakënaqësira dhe të kishte ovacione kundër sjelljes së kundërshtarëve nga Ballshi.
“Lushnja ka humbur dy pikë në ndeshjen me Bylisin. Kjo mund të them se ndodhi për shkak të një gjykimi që la shumë për të dëshiruar. Në ndeshje të tilla, me shumë rivalitet dhe me shumë presion, gjykimi duhet të jetë më i ftohtë. E përforcoj këtë, kur them se patëm disa raste, kur na u mohua një gol dhe një 11-metërsh. Jam për një futboll të bukur dhe pa veprime që ndikojnë në rezultatin e ndeshjes. Derisa kemi akoma ndeshje për të luajtur në këtë kampionat, do të ndjekim rrugën tonë, por është mirë që të mos ndodhin gjëra të tilla”, - ka thënë trajneri Artan Bano.
Dashi: Partizani e meritonte fitoren, por…
Sulmuesi Dashi, në Memaliaj ka shënuar golin e parë në kampionat dhe premton se ky është vetëm fillimi.
Para ndeshjes me Memaliajn, shpresat kryesore të të kuqve për të shënuar gol vareshin te Alban Dashi, i cili ishte sulmuesi i vetëm i deklaruar i kryeqytetasve. Sinjalet e golit futbollisti 20-vjeçar i dha që në ndeshjen e kontrollit të së premtes, ku shënoi një trigolësh. Madje në këtë test, si me shaka shokët e skuadrës i kërkuan Albanit të mos i harxhonte të gjithë golat, por të ruante edhe për në Memaliaj.
Numri 14-të i Partizanit arriti të shënojë edhe ditën e ndeshjes, dhe kur u akorduan minutat shtesë të takimit u mendua se goli i Dashit do të kishte vlerë tripikëshe, por të kuqtë ndëshkohen (apo vetëndëshkohen me imponim) dhe marrin vetëm një pikë. Pas shënimit në Kupë ndaj Adës vjen edhe goli i parë në kampionat dhe Alban Dashi shpreson se ky është vetëm fillimi. “Më kishte munguar shumë goli dhe shpresoj se pas golit në Kupë me Adën dhe të shtunën në Memaliaj të vijë edhe momenti im.
Partizani ndodhet në një situatë ku çdo gol i shënuar, pavarësisht autorit, ka shumë vlerë. Prandaj dua të bëj të pamundurën që të shënoj sa më shumë, ku padyshim do të preferoja gola që mbahen mend që i japin pikë skuadrës.
Goli që shënova në Memalaij ishte i pari në kampionat dhe nga mënyra se si po zhvillohej ndeshja ia vlente t’i jepte Partizanit fitoren e parë sezonale në transfertë. Por pas golit që shënova nuk bëhej fjalë më për futboll, pasi ne ishim nën trysninë që vinte nga të gjitha krahët. Më shumë mundoheshim të ruanim kokën, se mos na kapte ndonjë gurë, se sa të gjurmonim topin. Është pa kuptim të thuash se në fund të takimit të Memaliajt u luajt futboll. Do të preferonim të dilnim të humbur, vetëm e vetëm të mos rrezikonim jetën.
Gjithsesi, kam besim se organet kompetente në Federatë do ta shqyrtojnë ankesën tonë dhe do të marrin masa që ratse të tilla dhune të mos përsëriten më në stadiumet tona. Të habit fakti pse ka kaq mllef ndaj Partiznait, ku në kryeqytet atyre nuk u preket as edhe një fije floku. Dhëntë Zoti që ato që kemi pasur rrisk për të hequr këtë sezon t’i kemi mbaruar në Memalija dhe tashmë të luajmë futboll të ndershëm, pasi po vazhdoi kështu, Partizani nuk ka mundësi ballafaqimi me skuadrat e rretheve”, - u shpreh për “Sportin shqiptar” sulmuesi i të kuqve, Alban Dashi.
35-vjetori e gjen Bejzaden trajner
Gjatë pasdites së djeshme të kuqtë kanë filluar përgatitjet e para javore, të cilat janë në funkison të takimit me Gramshin. Seanca e djeshme është zhvilluar nga Kodrat e Liqenit Artificial dhe ka qenë e karakterit atletik. Dje trajneri-lojtar ka mbushur 35 vjeç dhe kjo ka shërbyer që të paktën fillimjava të nisë me urime, duke mos e kujtuar për momentin atë që u ndodhi në Memaliaj.
I gjithë grupi e ka uruar Skerdi Bejzaden për 35-vjetorin, i cili me këtë rast i ka gostitur të kuqtë me nga një pije energjike. Kjo ditëlindje e gjen me një status të ri Skerdi Bejzaden, pasi përveç rolit të lojtarit, ai është edhe trajner i Partizanit. Por Bejzade nuk ka qenë i vetëm, pasi në të njëjtën ditë me trajnerin e ka ditëlindjen edhe sulmuesi i ri Renis Mehja, i cili dje ka festuar 19-vjetorin.
Rikthehet Asllani, Sejdo jashtë planeve të Partizanit
Në Memaliaj të kuqtë kishin të pezulluar sulmuesin me eksperiencë Klodian Asllani, i cili kishte plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë. Për ndeshjen e radhës, ish-kampioni dinamovit do të jetë i gatshëm, kështu që Partizani do të jetë më i plotë.
Akoma nuk është e sigurt nëse mesfushori Sokol Ishka do të rekuperohet për sfidën me Gramshin. Dje është mësuar se portieri Xhino Sejdo nuk është më në planet e Partizanit, kështu që, të paktën deri në merkaton e dimrit kuadrati i kuq do të zgjidhet mes Dashamir Xhikës dhe Zyhdi Çullhajt.
Dosti me rezerva: Elbasani ka shumë për të bërë
Trajneri i verdhebluve kërkon korrigjimin e disa gabimeve nga skuadra e tij.
Elbasani mbetet i pagabueshëm në fushën e tij, duke marrë pikët maksimale deri më tani, dhe në shumicën e ndeshjeve “prodhon” një futboll të pëlqyeshëm. Por në ndeshjen me Skraparin, që përfundoi 2-0, nuk është parë ajo skuadër që çdo tifoz elbasanas ka dëshirë të shohë në fushë. Verdheblutë shpesh kënaqen me pak dhe sa herë që shënojnë gol e lëshojnë lojën.
Sulmi i Elbasanit nuk ruan të njëjtin nivel në çdo pjesë loje, kurse disa lojtarë nuk kanë rendimentin që pritet. Me Skraparin ishin jashtë forme edhe dy nga lojtarët, prej të cilëve pritet shumë te verdheblutë. Gava dhe Hyshmeri, të cilët konsiderohen e ardhmja e Elbasanit, edhe pse haraxhuan shumë energji, nuk arritën të bënin diferëncën në fushë.
Një tjetër problem është edhe humbja e shumë rasteve para portës. Trajneri Muharrem Dosti, që i ka të qarta të gjitha këto, nuk është aspak i kënaqur. Për të, humbja e shumë rasteve nga sulmuesit mund ta ndëshkojnë skuadrën, sidomos jashtë fushe: “Në Burrel patëm disa raste dhe nuk shënuam, ashtu siç bëmë edhe me Skraparin në ndeshjen e fundit.
Elbasani duhet t’i mbyllë më mirë ndeshjet për të qenë sa më i qetë, pra të shënojë më shumë. E kërkoj këtë gjë, pasi kemi dy transferta të vështira deri në fund të fazës, me Luftëtarin dhe Bylisin. Jashtë fushe nuk mjafton një gol për të fituar, prandaj duhet t’i menaxhojmë më mirë rastet që krijojmë. Eshtë e qartë se kemi shumë punë për të bërë”, - thekson trajneri Dosti, i cili e ka konsideruar mjaft të rëndësishme fitoren e fundit: “I kam parë lojtarët të çliruar pas ndeshjes.
Ishin kritikuar shumë pas humbjes në Burrel dhe për ta ishte shumë e rëndësishme fitorja. Në një farë mënyre, jemi favorizuar nga rezultatet e javës dhe kemi fituar terren në renditje. Por gëzimi për fitoren ka përfunduar dhe duhet të luftojmë javë pas jave që të arrijmë atë që duam”, - tha më tej trajneri Muharrem Dosti. Elbasani i është rikthyer stërvitjes dje, duke filluar përgatitjet për ndeshjen në Gjirokastër.
Rikthehet Mehmetaj ndaj Luftëtarit
Mungesa e Armand Mehmetaj është ndjerë jo pak tek Elbasani në ndeshjen me Skraparin. Edhe pse u luajt me një ekip më të dobët, mungesa e një lojtari me eksperiencë, siç është Mehmetaj, ishte e dukshme. Gjithsesi, fjalët më të mira meriton i riu Ibrahimi, i cili ka bërë një ndeshje të pëlqyeshme. Trajneri Dosti, me rikthimin e Mehmetajt pas pezullimit njëjavor, mund të jetë i qetë për ndeshjen në Gjirokastër me Luftëtarin.
Pustina: Barazimi në Cërrik, jo keq për Luftëtarin
Me Brazimin 1-1 me Turbinën, Luftëtari barazoi fitoret, barazimet dhe humbjet javën e 12‑të, duke fiksuar numrin 4, ndërsa pret këtë javë në Gjirokastër, Elbasanin që ka 10 pikë më shumë. Këto 12 ndeshje ndahen në dy grupe për Luftëtarin: në 6 të parat ai fitoi 12 pikë, kurse në 6 të dytat vetëm 4 pikë. Kështu, ekipi gjirokastrit i është larguar esencialisht objektivit të shpallur në fillim të sezonit, që ishte hyrja në superligë. Aktualisht ky objektiv duket i parealizueshëm. Sidoqoftë, edhe pse me Turbinën humbi më shumë se fitoi, barazimi mund të konsiderohet i pëlqyeshëm, sepse Luftatari luajti në transfertë me 6 titullarë mangët, që janë Bistri, Brahimi, Novi, Gaxhaj, Kola dhe Shkoza.
Golin e barazimit e realizoi Erald Pustina, që u ngjit në kuotën e 4 golave, pasi ka shënuar edhe 3 gola me Partizanin. Ja si shprehet ai: “Në Cërrik shkuam pas dy humbjeve radhazi dhe me mjaft mungesa titullarësh, por barazuam. Madje, në fund mund të arrinim edhe fitoren, por Këndella, që pati një rast të mirë, nuk shënoi, ndoshta edhe për faj të terrenit shumë të keq.
Për rrethana që na u krijuan që me ndeshjen në Lezhë, them se barazimi mund të konsiderohet i kënaqshëm. Ky rezultat mund të na stimulojë që të luftojmë me shpirt gare me Elbasanin, që është ndër ekipet më të fortë të kësaj kategorie. Kjo ndeshje, që mund ta fitojmë, mund të shërbejë në këtë rast për rilindjen, për rifutjen e Luftëtarit në kërkim të vendit të 4‑t në renditje.”