10 dhjetor 2009

Kombëtarja, miqësore luksi me Luksemburgun

Më 3 mars kuqezinjtë do të luajnë me modestët e Luksemburgut në kuadër të përgatitjeve për Euro 2012
Federata Shqiptare e Futbollit dhe trajneri i kuqezinjve, Josip Kuzhe, kanë nisur zbatimin e projektit të kombëtares në kuadër të përgatitjeve për kampionatit europian, që do të zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë. Përveç grumbullimit 10‑ditor në Turqi, është planifikuar edhe zhvillimi i disa takimeve miqësore, i pari më 3 mars të vitit të ardhshëm
Burime të sigurta pranë FSHF‑së bëjnë të ditur se kundërshtari i parë i vitit 2010 do të jetë Luksemburgu. Ndeshja me kundërshtarin në fjalë do të luhet më 3 mars, pikërisht në shtetin e vogël të Beneluksit, që ndodhet në kufi me Holandën, Belgjikën dhe Gjermaninë. Trajneri kroat Josip Kuzhe ka zgjedhur një kundërshtar relativisht të dobët dhe pritet të grumbullojë lojtarë të rinj, të cilët nuk e kanë eksperiencën e duhur për t’u përballur në arenën ndërkombëtare.
Është zgjedhur si fillim Luksemburgu, pasi kombëtarja e Kuzhes në këtë peridhë do të jetë në hapat e para të përgatitjes për eliminatoret e europianit. FSHF ka në plan të zhvillojë të tjera miqësore, ku sigurisht kundërshtarët do të jenë të një niveli më të lartë. Luksemburgu është kundërshtari i parë i përzgjedhur për miqësore para hedhjes së shortit të Euro 2012 më 7 shkurt të vitit të ardhshëm.
Në pranverë, pasi të jemi njohur me shortin, që do të na bëjë të mundur njohjen e kundërshtarëve, do të vendoset për miqësoret e ardhshme. Sigurisht, para kompeticioneve të rëndësishnme përzgjidhen kundërshtarë që nuk i kemi në grup, megjithatë Luksemburgu, për atë që përfaqëson në futbollin ndërkombëtar, nuk i prish punë Kuzhes edhe nëse na bie në short për Euro 2012‑n. Shqipëria bën pjesë në vazon e 5‑të, ndërsa Luksemburgu në vazon e 6‑të. Kjo do të thotë se ekziston mundësia që ky kundërshtar, i përzgjedhur për miqësoren e 3 marsit, mund të na bjerë në grup për Euro 2012‑n.
Shqipëria dhe Luksemburgu kanë qenë në të njëjtin grup për Euro 2008‑n, që u zhvillua në Austri dhe Zvicër. Para gati katër vjetësh në krye të kuqezinjve ishte kroati Oto Bariç me të cilin Shqipëria i fitoi të dyja ndeshjet e grupit ndaj Luksemburgut. Në takimin e parë në Tiranë Shqipëria fitoi 2‑0, ndërsa në ndeshjen e kthimit në Luksemburg shifrat e fitores ishin më të thella, 3‑0. Në “Qemal Stafa” kanë shënuar Kapllani dhe Haxhi, ndërsa në transfertë Ervin Skela dhe dy herë sërish Edmond Kapllani. Pra, sulmuesi i Augsburgut i ka shënuar tre gola në dy ndeshje Luksemburgut.