10 dhjetor 2009

Lajme nga Futbolli Shqiptar

Besa i kthen “vizitën” Laçit…në kampionat

Kavajasit kanë kaluar turin e radhës në kupë, teksa kanë barazuar me Laçin 1-1, por rezultati i ndeshjes së parë me fioren minimale 1-0 i kalon për në turin tjetër. Por Besa do të ndeshet sërish me Laçin, kësaj radhe në kampionat. Dhe do të jetë tjetër histori për të dyja skuadrat. Kësaj radhe kavajasit nuk do ta kenë të lehtë për të fituar, sepse dihen objektivat e laçianëve në kampionat, të cilët kërkojnë të sigurojnë qëndrimin në kategori, aq më tepër kur luajnë në fushën e tyre, ku çdo skuadër e ka të vështirë.
Por Besa shkon me objektiv të qartë, fitoren. Verdhezinjtë e dinë që nuk do ta kenë të lehtë, por vetëm fitorja do t’i mbante në skudrat e kreut, ndryshe çdo gjë do të komplikohej. Kujtojmë që pas Laçit, Besa pret Tiranën, rivalen direkt dhe kuptohet që duhen pikët maksimale me laçianët. Por në kampin verdhezi nuk mendohet aq larg, ndeshjet merren një e nga një dhe, së pari, duhet të kalohet Laçi. Kujtojmë që në kampionat në fazën e parë Besa ka fituar me rezultat minimal, duke rrezikuar jo pak atë fitore.

Vllaznia kërkon “hakmarrjen” ndaj Kastriotit

Shkodranët kanë humbur në ndeshjen e fazë së parë në Krujë, prandaj kërkojnë revanshin ndaj krutanëve
Ishte menduar që kthesa e Vllaznisë në fazën e parë do të niste pikërisht nga Kruja, por në të vërtetë ka ndodhur e kundërta. Krutanët kanë fituar në atë ndeshje dhe ka ndikuar shumë keq për shkodranët, teksa pas asaj ndeshje ka filluar tatëpjeta e kuqebluve, duke prekur fundin e renditjes. Në fakt, Vllaznia e ka pasur përherë të vështirë përballë Kastriotit, madje edhe kur ka qenë në kulmin e saj, por edhe kur është luajtur në fushë asnjanëse.
Por këtë fundjavë duket një Vllazni më e karikuar, e cila kërkon t’u kthejë reston krutanëve për atë humbje të fazës së parë. Më tepër se një “hakmarrje”, shkodranët kërkojnë t’i largohen vendeve të fundit, duke krijuar njëfarë sigurie, aq më tepër që pas Kastriotit, Vllaznia do të udhëtojë për t’u ndeshur në Tiranë më Dinamon kryesuese.
Janë tre ndeshje që do të luhen në Shkodër këtë muaj deri në fund të vitit dhe për pasojë kërkohet ngjitja sa më shumë në klasifikim, duke mos rrezikuar në fund të renditjes. Pas Kastriotit, Vllaznia do të presë Teutën dhe Flamurtarin, dy sfida që duhen kaluar patjetër pozitivisht. Kalendari në këtë fundviti është me shkodranët, por ama duhet shfrytëzuar në maksimum.
Eshtë vetëm një ndeshje e vështirë me Dinamon, që nuk është çudi që të merret edhe pikë, gjë që kuqeblutë e kanë bërë jo pak herë në Tiranë ndaj këtij kundërshtari. Kualifikimi për në çerekfinale të kupës i ka karikuar akoma më shumë shkodranët, teksa Europa duket më afër përmes këtij kompeticioni. Duke pasur përballë Skëndërbeun, kalimi për në gjysëmfinale duket i realizueshëm.
Pra, duke qenë se kupa u jep njëfarë sigurie shkodranëve, e gjithë vëmendja kalohet në kampionat. Kupa do të luhet në shkurt dhe deri atëherë kuqeblutë do të luajnë vetëm në kampionat. Duke qenë se edhe kalendari është në favor, sidomos këtë muaj, atëherë përqendrimi do të jetë maksimal në kampionat.
Duke shpresuar edhe te një merkato e mirë në janara, ta paktën ashtu siç thuhet, atëherë Vllaznia do të ngjiteshte shumë në renditje, duke mos e diskutuar qëndrimin në radhë të parë, pse jo duke kërkuar një nga tre vendet e para. Pastaj e gjithë vëmendja do të kalohej në kupë, ku mundësitë janë për ta bërë sërish të vetin këtë trofe. Por në radhë të parë duhet të kalohet Kastrioti këtë javë, pastaj ndeshjet e tjera marrin udhë.
Ndonëse ka pasur disi kritika për mbrojtjen në ndeshjen ndaj Kamzës në kupë, kjo nuk përbën problem për në ndeshjen e radhës në kampionat, pasi do të jetë një tjetër Vllazni, e cila do të jetë “hakmarrëse” ndaj një ekipi që është shfaqur gjithë ambicie këtë sezon, por që ndoshta do të perëndojë pikërisht në Shkodër.

Tafaj, pas kualifikimit mendon Gramozin

Trajneri i skuadrës së Tiranës, Alban Tafaj, në ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë që skuadra ka zhvilluar dje, disa nga titullarët ka preferuar të mos i aktivizojë edhe për faktin se në fundjavë bardheblutë do të përballen me Gramozin. Sfida e vlefshme për javën e katërt të fazës së dytë të superiores do të luhet në kryeqytet dhe është vlerësuar shumë nga Tafaj dhe stafi i tij.
Ndaj ai nuk ka dashur që të aktivizojë disa nga titullarët, si Nallbani, Muka, Osmani shto këtu edhe Devollin dhe Muzakën, që e kanë nisur sfidën me Lushnjën si zëvendësues. Duke parë se me disa skuadra të ashtuquajtura të vogla, si Laçi apo Skënderbeu, kampionët janë mundur apo kanë barazuar, për këtë sfidë Tafaj u ka kërkuar të besuarve të tij që të japin maksimumin dhe të mos e nënvlerësojnë kundërshtarin, pavarësisht pozitave në të cilat ndodhet në kampionat.


Stafi pret më shumë nga stoli

Trajneri i kampionëve, Alban Tafaj, dje kishte aktivizuar disa lojtarë nga stoli i rezervave. Bëhet fjalë për Korunovskin, Malindin, Karabecin, S.Lilajn, prej të cilëve stafi pret akomë më tepër për vetë faktin se janë lojtarë që kanë luajtur edhe në takime të tjera si titullarë.

Sot, përgatitjet në “Skënder Halili”

Pasi kanë kaluar me sukses Turin e Dytë të Kupës së Shqipërisë, ku kanë eliminuar Lushnjën, sot bardheblutë do të rifillojnë përgatitjet për ndeshjen me kolonjarët që do të luhet të shtunën në kryeqytet. Seanca e radhës do të zhvillohet, si zakonisht, pasdreke në kompleksin sportiv “Skënder Halili”.

Kupa plot kartonë, Flamurtari dorëzon kurorën

Dje janë përcaktuar 8 ekipet që do ta vazhdojnë luftën për fitimin e Kupës së 58-të të Shqipërisë
Dje janë zhvilluar tetë takimet e kthimit të turit të dytë të Kupës së 58-të të Shqipërisë dhe në përfundim të tyre janë përcaktuar skuadrat që do të vazhdojnë më tej betejën për fitimin e këtij trofeu. Tirana, Dinamo, Shkumbini, Besa, Vllaznia, Teuta, Gramozi dhe Skënderbeu janë ekipet që do të luajnë në çerekfinalet e kupës. Tetë ndeshjet e djeshme kanë prodhuar një promblematikë të larmishme, ku bie në sy numri i madh i kartonëve të kuq dhe të verdhë. Me përjashtim të ndeshjeve Tirana-Lushnja dhe Besa-Laçi, në të gjitha çiftetet e tjera është treguar kartoni i kuq.
Nëntë është numri i kartonëve të kuq që janë marrë dje në ndeshjet e kthimit të turit të dytë të kupës, ku tetë janë për lojtarët: Sheta (Partizani), Hoxha (Kastrioti), Lena (Gramozi), Çerepi (Kamza), Shoshi (Apolonia), Çipi, Kraja (Skënderbeu), Puntinçanin (Dinamo), si dhe trajneri i portierëve të Bylisit, Arbër Sino. 35 ka qenë numri i kartonëve të verdhë, të cilët janë shfaqur në çdo takim, por më të paktë kanë qenë në çiftin Tirana-Lushnja, vetëm një.
Tensioni. Në përgjithësi, dje ka pasur tension dhe si rezultat i kësaj vijnë edhe kartonët e shumtë. Tensioni apo dhuna ka qenë gjithëpërfshirëse në takimet e djeshme, pasi ka pasur mes lojtarëve në fushë, mes lojtarëve dhe tifozëve, por edhe stafeve drejtuese.
Tensionet mes lojtarëve janë të pritshme, por është e pashpiegueshme që në vitin 2009 lojtarët tolerohen që të hapin “librin e shtëpisë” dhe të komunikojnë me tifozerinë. Ky aspekt tregon se sa larg profesionalizmit janë futbollistët tanë, por edhe sektoret përkatëse në federatë, që i lejonë këto shfaqje të shëmtuara. Ethet e kualifikimit dje janë parë edhe në tribunat e drejtuesve, pasi në takimin Dinamo-Bylis ka pasur përplasje mes stafeve, që për çudi vijnë nga e njëjta trevë.
Terrenet. Fushat ku janë zhvilluar dje takimet e kupës në njëfarë mënyre kanë qenë përcaktuese në ecurinë e ndeshjeve. Për shkak të reshjeve të shiut asnjë çift nuk ka luajtur në kushte normale, madje në pjesën më të madhe të terreneve ka mbizotëruar uji dhe balta. Dje, fierakët, përveç korçarëve, kundërshtare kanë pasur edhe baltën, që në disa raste e ka ndalur topin në vijën fatale. Në Kavajë dukej sikur po luhej në fushë “të zezë”. Pra, fushat kanë ndikuar në takimet që janë luajtur dje.
Surpriza Flamurtari. Përfundimi i turit të dytë nuk ka dhuruar shumë të papritura, por nëse bëhet fjalë për surprizë, ajo e ka emrin Flamurtar. Në sezonin e shkuar vlonjatët ishin fituesit e kupës, por duke nisur nga dje, ata e kanë dorëzuar zyrtarisht këtë trofe, pasi nuk kanë asnjë mundësi që ta mbrojnë. Gramozi ka shkurorëzuar Flamurtarin brenda në shtëpinë e tij, takim i cili ka sjellë plot revolta në kampin vlonjat, pasi humbja e penalltisë nga ana e Memës ka bërë që tifozeria të shfryjë ndaj sulmuesit korçar.
Pak minuta para se të përfundonte takimi, Mema nuk ka duruar më, ka hequr fanellën dhe ka braktisur fushën e lojës, por pas lutjeve të shokëve dhe stafit ai është kthyer në lojë, por çuditërisht nuk ka marrë asnjë masë ndëshkimore nga gjyqtari. Tensionin e këtij takimi e ka përjetuar keq edhe trajneri i Gramozit, Agim Canaj, i cili megjithëse është vlonjat, nuk është kursyer nga patriotët e tij.

Turi çerekfinal i Kupës së 58-të të Shqipërisë (3-17 shkurt 2010)

Grupi A

Besa - Tirana
Shkumbini - Dinamo

Grupi B

Skënderbeu - Vllaznia
Gramozi - Teuta

Seferi: Unë kërkoj të drejtën time

Një ditë pas deklaratës së shefit të Tiranës, Rauf Dimraj, flet ish-presidenti Metush Seferi
Një ditë më parë, gazeta “Sporti shqiptar” botoi deklaratën e shefit të klubit, Rauf Dimraj, i cili pohonte se fuqia financiare e klubit ishte e pamjaftueshme që të paguante borxhin që i ka ish-presidentit të skuadrës së Tiranës që nga viti 1993-1998, Metush Seferi. Çështja në fjalë së fundi ka shkuar deri në Federatën Shqiptare të Futbollit, ku Përmbarimi prej afro një jave ka urdhëruar që të bllokojë të ardhurat që vijnë nga pjesëmarrja në kompeticionet europiane të skuadrës së Tiranës, që sezonin e shkuar mori pjesë në Ligën e Kampionëve. Kjo është një çështje e disa viteve më parë, kur president ishte Metush Seferi dhe shef klubi Skënder Hyka.
Nga burime pranë federatës bëhet e ditur se kjo çështje ka krijuar një zhurmë të madhe ditët e fundit. Ndaj edhe federata ka ngritur grupin e punës për t’u konsultuar me studion ligjore pranë saj, çka konfirmohet edhe nga burime pranë institucionit. FSHF-ja, po nga burime të brendshme të saj, nuk dëshiron të bllokojë të ardhurat e klubit bardheblu, i cili aktualisht është pronë e Bashkisë së Tiranës. Gjykata ka marrë vendimin e formës së prerë dhe, sipas ligjit, borxhi do t’i kthehet ish-presidentit Seferi.
Pas deklaratës së shefit të klubit 24 herë kampion, Rauf Dimraj, i kontaktuar nga “Sporti shqiptar”, ish-presidenti i bardhebluve, Metush Seferi, tha: “E kam lexuar me vëmendje atë çka është shkruar një ditë më parë në gazetën tuaj. Dua të sqaroj se kur jam larguar unë, e kam lënë arkën e klubit plot, pasi në atë kohë ne si klub kishim të ardhura që vinin kryesisht nga shitja e futbollistëve, nga biletat apo asete të tjera. Çdo gjë në kohën kur unë isha president i ekipit të Tiranës bëhej me rregulla, pra shitjet apo blerjet bëheshin vetëm me fatura. Unë sot kërkoj të drejtën time, asgjë më shumë dhe më pak.
Kjo çështje ka afro një dekadë që kërkoj t’i jap zgjidhje dhe për këtë i jam drejtuar Gjykatës. I kam fituar gjyqet me klubin në të tri gjykatat, ndaj mendoj se klubi duhet të më kthejë borxhin. Jo vetëm kaq, por ka edhe një kamatë vonese prej 3 milionë lekësh të vjetra në muaj, shumë e cila do të rritet akoma më tepër derisa klubi të më shlyejë borxhet.
Kam vënë re se këtë çështje njerëz të klubit, më parë apo tani, kanë kërkuar ta shtyjnë, sepse nuk iu intereson, por e përsëris edhe një herë tjetër, se unë kërkoj të drejtën time, që më takon mua. Jo vetëm kaq, por nëpër festat e fitimit të trofeve që bënte klubi në atë kohë, ne kemi organizuar edhe mbrëmje për ish-veteranë, dashamirës të sportit etj. Sot këtë gjë unë nuk e vë re, madje në raste gëzimesh apo hidhërimesh në klub, mua nuk më ka ardhur asnjë ftesë si një njeri që për disa vite kam dhënë kontributim tim për skuadrën e Tiranës dhe për ta ngritur sa më lart emrin e këtij klubi.
Unë kam besuar dhe do të vazhdoj të besoj te Drejtësia për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe këtë nuk e bëj se dua të përfitoj në qoftë se një ditë klubi privatizohet dhe unë të bëhem aksionar. Thjesht kërkoj paratë e mia,”- përfundoi deklaratën e tij ish-presidenti i skuadrës së Tiranës, Metush Seferi.

Agalliu: Nuk ka më krizë, Tomori mendon kreun

Skuadra beratase e ka lënë pas krahëve krizën e golave dhe është rikthyer në grupin e pretendentëve
Para 5 javësh, edhe tifozi më “i sëmurë” nuk mund të besonte se skuadra beratase do të bënte një prezantim kaq befasues. Nga vendi i parafundit, me vetëm 3 pikë, skuadra e drejtuar nga trajneri Dashnor Dume, aktualisht ka 19 pikë dhe ndodhet mes 5 skuadrave rivale për kreun. Në 6 javë Tomori ka arritur një rekord, duke siguruar 16 pikë, me 5 fitore dhe 1 barazim. Por ajo që po e gëzon më shumë tifozërinë beratase, ka të bëjë me faktin se skuadra po merr fitore edhe jashtë dhe se grupi po konsolidohet nga ndeshja në ndeshje. Madje, fitorja në Këlcyrë ka ardhur në kohën e duhur. Për mesfushorin organizator të beratasve, Agalliun, nga Këlcyra ka nisur edhe “projekti” për arritjen e kreut. “Tashmë mund të themi me plot gojën se te Tomori nuk ka më krizë. As morale dhe as financiare.
Jemi në një situatë që duhet ta vlerësojmë seriozisht, sepse rrallë kemi qenë në këtë formë. Fakti që jemi në rivalitet me plot 5 skuadra, do të thotë se rruga deri në fund të kampionatit është e gjatë dhe e vështirë. Larg euforisë dhe afër realitetit, kjo do të ishte dhe motoja jonë deri në fund të kampionatit. Kemi marrë pikë të çmuara, por kemi ndeshje të vështira, që duhen vlerësuar të gjitha njësoj.
Para së gjithash, gëzohemi që nuk kemi më krizën e golit. E kemi kaluar këtë fazë dhe po shënojmë në çdo ndeshje, që do të thotë se Tomori i është kthyer spektaklit dhe fitores,” ‑ deklaron mesfushori i Tomorit. Për ndeshjen përcaktuese më Domosdovën, që do të luhet në Berat, Agalliu vlerëson: “Domosdova është një skuadër e fortë, një rivale e drejtpërdrejtë me Tomorin, ndaj fitorja ndaj saj do të jetë objektivi ynë kryesor. E njohim mirë forcën e kësaj skuadre, pasi jemi ndeshur muaj më parë për kupë. Besoj se me kujdes mund ta arrijmë atë që dëshirojmë. Të mos harrojmë se 3 pikët me Domosdovën na ngrenë në kuotën e 22 pikëve, një komoditet ky për ne, pasi dihet që në fazën e dytë Tomori ka plane e projekte për një skuadër tjetër.”

Alushi: Në Berat, një “betejë” pretendentësh

Me shumë vështirësi Domosdova ka mundur Butrintin javën e fundit, një nga rivalët për kreun. Një nga lojtarët më të mirë në atë ndeshje, mesfushori Besmir Alushi, thekson se të paktën ndeshjet në shtëpi duhen fituar patjetër: “Gjykimi na kishte mohuar fitoren në Tepelenë dhe me Butrintin nuk na falej gabimi. E nisëm keq ndeshjen, por më pas luajtëm fort dhe fituam 3-2. Skuadra reagoi mirë, pasi u gjend dy herë në disavantazh.
Më pas, duke iu refruar ndeshjes së radhës me Tomorin në Berat, ai pohon se do të jetë një sfidë e hapur: “Sigurisht që me Tomorin do të jetë e vështirë, pasi luajmë në Berat. Skuadra kundërshtare ka tradita në futbollin shqiptar, por, duke e lënë mënjanë këtë, besoj se do të marrim pikë, duke dhënë maksimumin. Ecuria pozitive gjatë javëve të fundit na bën optimistë për këtë ndeshje. Eshtë një “betejë” pretendentësh dhe mendoj se do të prodhojë lojë të bukur. Synimi ynë do të jetë fitorja, por edhe një barazim do të na bënte punë,” ‑ përfundon mesfushori i majtë, Besmir Alushi.

Ndreca: Mamurrasit i takon fitorja në tavolinë

Presidenti Dedë Ndreca thotë se me Veleçikun pati dhunë nga ana e vendësve
Drejtuesit e Mamurrasit, që pësoi humbjen e parë në fushën e Veleçikut, kërkojnë fitoren në tavolinë dhe ndëshkimin e atyre që ushtruan dhunë në Koplik. Sipas tyre, 7 lojtarë të Mamurrasit kanë qenë në gjendje të rëndë dhe janë mjekuar në spital, pasi janë dhunuar në fushën e Veleçikut. Presidenti Dedë Ndreca sqaron: “Po ta dija se do të ndodhte ashtu siç ndodhi në Koplik, ku u rrezikua edhe jeta e lojtarëve, nuk do shkonim atje.
Gurët mbuluan fushën, për të mos folur për anët e tjera të ndeshjes, ku na u mohuan dy gola dhe një penallti. Gjyqtarët e kishin të pamundur të vendosnin drejtësi, sepse ishin nën presionin e vendësve. Mamurrasi ka përjetuar një ferr të vërtetë.
Nuk ishte ndeshje futbolli, por një luftë, një terror psikologjik nga ana e tifozëve dhe drejtuesve të Veleçikut. Plot 7 lojtarë tanët, për shkak traumave që kanë pësuar, janë detyruar të marrin mjekim në spitalin e Mamurrasit.” Presidenti Ndreca pohon më tej se për gjithçka do t’i drejtohet FSHF-së, duke i kërkuar ndëshkimin e fajtorëve dhe 3-pikëshin në tavolinë. “Nuk është rasti i parë, që dhunohemi në ndeshjet me Veleçikun, të cilin e kemi pritur në mënyrën më korrekte në fushën tonë.
Këtë radhë do të kërkoj që federata të tregohet e ashpër, duke zbatuar vetëm ligjin. E dija që situata do të ishte e vështirë, por jo deri në atë pikë. Kemi luajtur edhe në fusha të tjera të nxehta, por jo si në Koplik. E dimë se edhe Veleçiku ëndërron të futet në kategorin e parë, por me ne ishte dobët,” - ka thënë në fund presidenti Dedë Ndreca.

Koxhaj: Naftëtari, shumë keq në Pukë

Mesfushori beratas pranon se s’ka më shpresa për ngjitjen një kategori më lart
Kanë zhgënjyer futbollistët kuçovarë në transfertën e Pukës, ku janë mundur thellë, 3-0. Ndoshta ka qenë një nga ndeshjet më të dobëta të Naftëtarit në këtë kampionat. Kapitullimi ka ardhur që në 45 minutat e para, kur është venitur çdo shpresë për pikë. Kjo humbje e fundit e largon përfundimisht Naftëtarin nga zona e pretendimeve, kështu që zhgënjimi është mjaft i madh për sportdashësit kuçovarë. Paraqitjen e dobët e pranojnë edhe vetë futbollistët. “Nuk ishim në një ditë të mirë, ‑ pohon mesfushori Ervis Koxhaj.
- Goli i parë na goditi shumë shpejt dhe, megjithëse u përpoqëm të reagonim, e kishim të pamundur. Duhet të pranojmë edhe faktin se përballë patëm një skuadër të fortë, që e meritoi fitoren. Vetëm dëshira jonë për të arritur një rezultat pozitiv në Pukë nuk mjaftoi. Eshtë një humbje, që duhet harruar sa më shpejt.” Pretendimet e Naftëtarit janë zbehur pas kësaj jave, ndërkohë që skuadra vuan së tepërmi mungesën e eksperiencës.
Megjithatë, mesfushori Koxhaj siguron se, pavarësisht humbjes së fundit dhe venitjes së shpresave për vendin e dytë, Naftëtari do t’i vlerësojë drejt ndeshjet e ardhshme. Këtë të diel kuçovarët presin Korabin në fushën e tyre. “Pa dyshim që do të kërkojmë fitoren, për të shlyer sadopak lojën e dobët dhe humbjen me Tërbunin. Do të luajmë në stadiumin “Bashkim Sulejmani”, ku besoj se nuk duhet t’i diskutojmë tri pikët,” - përfundon Ervis Koxhaj, mesfushori beratas i Naftëtarit.

Tepelena, pas Maliqit pret fitoren me Butrintin

Pas shumë kohësh, Tepelena ka regjistruar fitoren e parë në transfertë. Ajo ka fituar 3-1 me Maliqin, një ndeshje ku futbollistët e rinj, të udhëhequr nga veteranët Selimi dhe Gaba, kanë marrë një tripikësh, që i mban në shkallët e sipërme të tabelës. Tepelenasit kanë dominuar në Maliq, por edhe në ndeshje të tjera, madje dhe me skuadra pretendente, siç janë Vlora dhe Domosdova, ata kanë marrë rezultatet pozitive.
Edhe pse në fushën e tyre, këto rezultate kanë pasur vlera të mëdha, sepse ekipi ka në përbërje shumë të rinj 18-20-vjeçarë. Këtë javë Tepelena është pushim, ndërsa javën e ardhshme do të ndeshet me Butrintin, një pretendent për ngjitjen në kategorinë e parë. Tepelenasit kanë kështu dy javë në dispozicion për t’u përgatitur për këtë ndeshje, ku do të synojnë fitoren, që do t’i konsolidonte në 6-shen e parë në grupin e jugut në kategorinë e dytë.