03 dhjetor 2009

Juventus, "hija" e Lipit mbron Ferrarën

Fati vjen në ndihmë të Çiro Ferrarës. E ardhmja e trajnerit të Juventusit duket e lidhur ngushtë me rezultatet që skuadra do të regjistrojë në duelin me Interin në Serinë A dhe me Bajernin në Champions. Por, nëse do të vazhdojë të punojë në krye të stolit bardhezi, ai duhet të falënderojë edhe Marçelo Lipin. Tekniku i përfaqësueses italiane pritet të kthehet në klubin torinez pas Kupës së Botës 2010. Lipi mendohet se do të emërohet në postin e drejtorit teknik të klubit dhe detyra e tij është që të mbështesë, të jetë krahu i djathtë, por edhe "babai" i Ferrarës, i cili nuk është shfaqur në nivelin e pretenduar në karrierën e re si trajner.