15 dhjetor 2009

Juve, të gjitha "mëkatet" e trajnerit Çiro Ferrara

Drejtuesi i stolit bardhezi është përballur me krizën e rezultateve dhe të lojës së skuadrës
Për një gjë ka të drejtë Çiro Ferrara: humbja me Barin është e ndryshme nga të tjerat përpara saj. Të paktën një herë, rezultati final nuk kishte lidhje me atë që Juventusi paraqiti në fushën e lojës. Ndryshe nga sa kishte ndodhur kundër Bordosë, Kaljarit dhe Bajernit, ku bardhezinjtë ishin nënshtruar plotësisht përballë lojës së kundërshtarëve. Gjithsesi, ky nuk mund të shërbejë si ngushëllim, pasi në javët e fundit Juve ka humbur katër nga pesë ndeshjet e luajtura, u eliminua nga Liga e Kampioneve dhe nuk arriti t‘i afrohej Interit kryesues në Serinë A, edhe pse skuadra e Murinjos u detyrua të ulë ritmin. I vlerësuar në tërësi, ky fillimsezoni ka qenë shumë zhgënjyes. Përpara ndeshjes së fundit për vitin 2009, Juventusi është ende në kërkim të identitetit taktik. 22 ndeshjet zyrtare, të cilave mund t‘u shtohen edhe miqësoret e verës, nuk kanë shërbyer për të gjetur zgjidhje taktike që funksionojnë. Nuk bëhet fjalë vetëm për zgjedhjen e një moduli loje, por për interpretimin e skemave në fushë: aftësinë për të krijuar hapësira pa top, lëvizjen në sintoni si repart, por edhe si skuadër dhe praktikimin e lojës së rrjedhshme, duke mos i mbajtur të gjitha shpresat tek individët. Në këtë aspekt, bardhezinjtë nuk janë përmirësuar në asnjë moment, e jo rastësisht paraqitjet më të dobëta janë regjistruar në shtëpi, kur skuadra duhej të merrte frenat e lojës në dorë. Problemi më i madh teknik është mospërshtatja e pozicionit të Diegos me karakteristikat e tij dhe me paaftësinë për të shfrytëzuar maksimalisht potencialin e brazilianit. E vetmja gjë pozitive është rrezikshmëria në krahun e djathtë, falë forcës së Martin Kaseres. Ata që e njohin mirë situatën brenda skuadrës, besojnë se një nga problemet e Juves është frika që tregon skuadra në momentet kyç të ndeshjeve, e cila lind nga mungesa e liderëve që mbajnë të bashkuar skuadrën. Kielini, Del Piero, Bufon e Kanavaro nuk i kanë këto aftësi, pavarësisht se në fushë janë yje të padiskutueshëm. Në raste të tilla nuk duhet të ngatërrohet kualiteti me aftësinë për të drejtuar grupin. Një lider i "Zonjës së Vjetër" mund të jetë Felipe Melo, të cilin grupi e respekton më shumë nga sa mund të mendohet, por në disa raste ai shfaq mendjemadhësi. Për sa i takon Diegos, fantazisti është inteligjent dhe i kujdesshëm, por edhe shumë i urtë. Në raste të tilla është vendimtare figura e trajnerit, që duhet të udhëheqë i vetëm skuadrën, pak a shumë ashtu si vepron Zhoze Murinjo tek Interi. Kjo është tabloja e përgjithshme, së cilës i shtohet edhe fakti se trajnerit i mungon edhe ndihma nga drejtuesit, që në shumë raste nuk kontribuojnë në administrimin e skuadrës.