Gjiganti italian Juventus është duke monitoruar disa nga talentet më të mëdha të futbollit evropian. Sipas ueb faqes footballitaliano.co.uk, drejtori sportiv i Bianconerëve, Giuseppe Marotta, ua ka vënë syrin tre futbollistëve të rinj që luajnë në skuadra evropiane.“Njëri nga tre futbollistët, që është në listën e Juventusit, është 19 vjeçari Admir Mehmedi. I lindur në Maqedoni, futbollisti tash ka nënshtetësi zvicerane dhe aktualisht luan në FC Zurich. Pozita e tij e favorizuar është prapa sulmuesve”, shkruan kjo ueb faqe.
Përpos Mehmedit, i cili shënoi gol të dielën për Zurich në Kupën e Zvicrës, Juventus është i etur t’i transferojë në Torino edhe dy talentë tjerë: mesfushorin italian Fabio Borini, 19 vjeç, që luan në ekipin e të rinjve të Chelseas, dhe mbrojtësin serb Milan Milanovic (19), që aktualisht është pjesë e ekipit rus Lokomotiv Moscow.
Mehmedi i ishte bashkuar FC Zurichut në vitin 2006 nga FC Winterthur. Kurse pjesën më të madhe të karrierës e kaloi në AC Bellinzona, ku edhe kishte nisur të merrej me futboll.
Nga: Beslind Dragusha