Klubi bardhezi po mendon të afrojë në të ardhmen disa të rinj të talentuar. Një nga më të rëndësishmit që lakohet në media është braziliani i Santosit, Neimar.
Gjatë muajve të fundit, stafi teknik i “Zonjës” i është vënë punës për të gjetur talente që në të ardhmen mund të bëhen protagonistë në ekip. Disa djelmosha janë bërë tashmë pjesë e listës, madje nuk përjashtohet mundësia që ndonjëri të bëhet pjesë e skuadrës në merkaton e dimrit. E sigurt është që klubi nga Torino dëshiron të marrë elementë me talent të pastër.
Njëri prej më kryesorëve që përflitet në mediat braziliane dhe ato italiane, është sulmuesi i Santosit, Neimar. 18-vjeçain vetë i madhi Pele e ka cilësuar pasardhësin e vet (“...në moshën e tij unë nuk isha kaq i fortë sa ai”).
Por në listën e synimeve të Juves janë edhe të tjerë talente: argjentinasi i River Plejtit, Funes Mori; francezi Bakari Sako, 22 vjeç, që luan me Sent Etienin, si dhe sulmuesi italian i Vijarealit, Xhuzepe Rosi. Një tjetër emër që ka vënë në lëvizje “Zonjën” është 18-vjeçari Erik Lamela, që po shkëlqen me River Plejtin në Argjentinë.