20 tetor 2010

E refuzoi Juventusin

Edson Arantes do Nascimento, i njohur më mirë si Pele, legjendë e futbollit brazilian dhe atij botëror, shumë shpejt do ta festojë 70-vjetorin e tij. I lindur më 23 tetor 1940 në Tres Co­raçoes, ai konsiderohet si futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve.

Tash, Pele, i cili pjesën më të madhe të karrierës e kaloi në ekipin brazilian, Santos, kujton kohën kur në adresë të tij kishte arritur një ofertë për t’iu bashkuar ekipit italian, Juventus, por të cilën e kishte refuzuar.

“Është e vërtetë. Në atë kohë më arrinin oferta të shumta nga Italia. Por, nuk e ndieja në vete që t’i pranoja, sepse kaloja mirë në Santos, ku për 12 vjet ishte skuadra më e mirë e vendit tim”, shpjegon Pele.

Në atë kohë, Pele ishte kontaktuar nga aksionari i atëhershëm i FIAT-it, i cili ishte edhe pjesë e Juventusit, i ndjeri, Gianni Agnelli, që kishte udhëtuar në Brazil për ta ndërtuar një fabrikë të kompanisë së njohur italiane të automobilave, FIAT.

“Kur kishte ardhur në Brazil, më propozoi të luaja në Juventus. Nuk e pranova ftesën e tij, sepse, e përsëris, isha mjaft i lumtur në Santos”, përfundoi rrëfimin e tij Pele, i cili në karrierën e tij të bujshme, kishte realizuar lot 1279 gola. Pele është futbollisti i vetëm në botë që e ka fituar tri herë Botërorin, është shpallur sportisti dhe futbollisti i shekullit.

Nga: Beslind Dragusha