20 tetor 2010

Binjakëzimet e skuadrave të Serie A

Milano, 20 tetor - Jo të gjitha skuadrat në futbollin italian urrejnë njëra-tjetrën. Ndër vite tifozët e skuadrave kanë ditur të lidhin miqësi mes vete. Disa prej këtyre miqësive vazhdojnë të ushqehen e disa tashmë janë prishur. Shumë prej grupeve të tifozëve kanë lidhur koalicione vetëm pse kanë pasur një armik të përbashkët, pra një skuadër që e urrenin.

Por, në shumë raste interesi i këtyre skuadrave të binjakëzuara është ndeshur dhe kjo ka bërë që të fillojë një "luftë", shkruan sot “Koha Ditore”.

10. Parma dhe Empoli

Gjatë ndeshjes të luajtur në kuadër të Serie A në vitin 1984, një mjegull e dendur mbuloi fushën e stadiumit të Parmas. Empoli e pati fituar atë ndeshje me golin e shënuar në finish të pjesëlojës së parë dhe kjo në anën ku ishin të pranishëm tifozët e Parmës. Vetëm kur tifozët e Parmës filluan të festonin golin e Empolit dhe njëherësh ua uronin tifozëve kundërshtarë, këta të fundit kuptuan se skuadra e tyre arriti të tundë rrjetën kundërshtare. Që nga kjo ndeshje të dy grupet e tifozëve përcjellin bashkërisht ndeshjet kur luajnë skuadrat e tyre të zemrës.

9. Genoa dhe Pisa/Livorno

Skuadra e Genoas njëherë ishte e bashkuar me atë të Pisas, për të lidhur miqësi pas tyre me Livornon deri në kohën kur tifozët shkaktuan telashe. Pasi bashkimi me Pisan u thye, Genoa lidhi miqësi me skuadrën e Livornos dhe gjithçka ishte miqësore ndërmjet tyre. Kjo zgjati deri në nëntorin e vitit 2009, kur pas fitores së Livornos në shtëpi tifozët e Genoas gjatë kthimit në shtëpi shkaktuan dëme nëpër qytet në vlerë prej mijëra eurosh.

8. Inter dhe Verona

Dy humbje të Milanit në Verona gjatë viteve ‘80, të cilat humbje "rossonerëve" u kushtuan me titullin e kampionit në të dy rastet, bën që të sjellin gëzim tek Interi. Duelet mes Veronës dhe Interit zhvilloheshin pa praninë e policisë si pasojë e natyrës miqësore mes tifozëve, por kjo zgjati deri në vitin 2001. Në këtë vit të dyja skuadrat vendosën që të prishin koalicionin e tyre para ndeshjes në kuadër të Serie A, pasi në edicionin e mëparshëm kishte pasur fyerje mes tifozëve në tribuna.

7. Bari dhe Salernitana

Vëllazëria është formuar pas ndeshjes të zhvilluar në muajin maj të vitit 2009. Salernitana kishte siguruar mbijetesën në Serie B dhe Bari ndiqte promovimin në Serie A, që pothuajse ishte i siguruar. Para ndeshjes tifozët e të dy skuadrave kënduan së bashku në tribuna, ndërsa tifozët "Ultras" të Barit u lejuan që në fushë të valëvitin flamurin e tyre. Me gjithë fitoren e Salernitanas 3:2, vëllazëria nuk është prishur asnjëherë.

6. Roma dhe Juventus

Binjakëzimi është i famshëm, duke pasur parasysh faktin se skuadra e Juventusit luftonte për titullin e kampionit në Serie A në edicionin 1999/00. Juventusit me çdo kusht i nevojitej fitorja në stadiumin "Olimpico" të Romës për të mbajtur kryesimin para skuadrës së Lazios, që ishte konkurrenti kryesor. Tifozët e Romës i bënë me dije futbollistëve romanë se presin nga ata që të mos reagojnë shumë në fushë dhe të lejojnë Juventusin të shënojë fitore. Megjithatë, ndodhi e kundërta. Roma shënoi fitore, Lazio e kapërceu Juventusin dhe tifozët romanë mbetën të zhgënjyer dhe të inatosur me ekipin e tyre. Miqësia mes tifozëve vazhdon ende.

5. Genoa dhe Torino

Lidhja e fortë mes këtyre dy skuadrave u krijua me shitjen e Gigi Meronit te skuadra e Torinos dhe ky binjakëzim zgjati prej viteve ‘60 deri në ndeshjen e zhvilluar në muajin maj të vitit 2009. Torino luftonte për mbijetesë dhe priste nga Genoa që t'i dhurojë tri pikët e shpëtimit. Mirëpo, goli i shënuar në minutën e fundit të ndeshjes nga sulmuesi Diego Milito e fundosi Torinon. Pas ndeshjes tifozët e Torinos thyen marrëveshjen që kishin dhe sulmuan tifozët e Genoas.

4. Milan dhe Brescia

Binjakëzimi është krijuar kryekëput nga urrejtja e të dyja palëve për skuadrën e Atalantas nga Bergamo. Ndeshjet ndërmjet Milanit dhe Brescias janë kryesisht anti-Bergamo, pasi tifozët e të dyja skuadrave në tribuna fyejnë Atalantan dhe tifozët e saj. Në ndeshjet ndërmjet Milanit dhe Atalantas gjithmonë mund të shohësh tifozët e Brescias duke ndihmuar ata "rossonerë", si dhe anasjelltas vetëm nga urrejtja e madhe që kanë për ekipin nga Bergamo.

3. Verona dhe Fiorentina

Tifozët e këtyre skuadrave pa pikë dyshimi e kanë lidhjen më të fortë në futbollin e Italisë. Në çdo ndeshje të Veronës të paktën një pano mund të shihet në tribuna që ka të bëjë me Fiorentinën, ndërsa tifozët e kësaj të fundit ftojnë ata veronezë për ndeshjet e klubit "violas" në udhëtim. Bashkimi është krijuar në vitet ‘80, ndërsa është forcuar edhe më shumë në vitin 1991, kur tifozët e Fiorentinës kanë përkrahur protestën e tifozëve të Veronës në lidhje me trajtimin e egër të policisë.

2. Genoa dhe Napoli

Tifozët për herë të parë janë bashkuar në vitin 1982, por kjo është forcuar edhe më shumë pas barazimit 0:0 në Genoa në vitin 2007, kur të dyja u promovuan në Serie A. Tifozët së bashku festuan në fushë, ndërsa para ndeshjes ata të Genoas kishin zbuluar një pano ku shkruante: "Mirë se vini, vëllezër napolitanë". Ky binjakëzim do të thotë se Genoa kur luan derbin lokal me Sampdorian, tifozët e Napolit duhet të përkrahin në maksimum vëllezërit e tyre.

1. Lazio dhe Inter

Është kjo vëllazëri që zgjat me vite të tëra, asnjëherë nuk është ndërprerë. Interi shkoi në "Olimpico" më 5 maj të vitit 2002 dhe vetëm fitorja ua siguronte atyre titullin e kampionit, të parin prej vitit 1989. Tifozët e Lazios haptas përkrahnin Interin, duke kërkuar që Lazio të pësojë humbje dhe mos të lejojë Juventusin të fitojë "scudetton" apo edhe Romën që ishte në garë. Interi humbi papritmas 4:2, Juventusi u shpall kampion dhe tifozët e Lazios ende përkrahin Interin në çdo ndeshje./

NGA: Beslind Dragusha