Ish-mesfushori brazilian i bardhezinjve tregon: Ka një marrëveshje për verën që vjenSa vijnë e shtohen zërat mbi kalimin e mundshëm të Edin Dzekos te Juventusi, parashikuar në qershorin që vjen. Konfirmimi vjen nga një burim special, nga Diego që vitin e shkuar nuk përjetoi një sezon të mirë në Torino dhe që tani është shok skuadre i sulmuesit boshnjak të Volfsburgut. “Dzeko është një nga sulmuesit më të mirë në botë, - thotë braziliani.
- Unë do të isha i lumtur nëse do të mund të luaja në krah të tij gjatë, por di që Edini ka një opsion për t’u transferuar te Juventusi në verën që vjen. Dhe mendoj që do të përfundojë pikërisht në këtë mënyrë. Megjithatë, i uroj shumë fat në karrierën e tij. Përvoja ime te bardhezinjtë ishte e bukur, e vështirë. Për fat të keq rezultatet nuk erdhën, por ruaj një kujtim të shkëlqyer nga shokët, tifozët dhe shtypi. Më kanë trajtuar të gjithë mirë dhe dihet që unë doja të qëndroja, por në një farë mënyre ndryshoi grupi, drejtuesit dhe para së gjithash trajneri”.
Ndërkohë, nëse Amauri nuk do të tregojë shpejt që është kthyer ai “snajperi” i pagabueshëm si në kohët e Palermos, drejtuesit juventinë, mund të nisin “sondazhin” drejt Maksi Lopezit që në janar. Marota, paska ndër mend të marrë sulmuesin argjentinas nga Katania me formulën e huazimit për të vendosur më pas në fund të sezonit për ta mbajtur ose jo.
Më tërheqëse, por më pak të përshkueshme, janë pistat që të çojnë te Karim Benzema, Antonio Kasano dhe Uejn Runi (shtypi anglez, për këtë të fundit përfshin edhe Juven përveç Realit, Barcelonës, Sitit e Çelsit). Manovra të mëdha edhe në repartin e mbrojtjes. Me Lacion është diskutuar për zvicerianin Likshtejner dhe rumunin Radu, por presidenti Lotito nuk ka ndër mend të dëgjojë. Ndërkaq nga Napoli flasin për një këmbim të veçantë:
Santakroçe e Zuniga në Torino me Amaurin në skuadrën e Maxarrit. Në Holandë, në shtëpinë e Ajaksit ndiqet gjithnjë e më shumë anësori i talentuar Van der Viel, ndërsa nga Firence bëjnë të ditur që Xhenoa e Preciozit i paska hedhur sytë nga braziliani Felipe.