21 tetor 2010

Benzema paralajmëron Realin: Dua të luaj më tepër

Francezi i Realit të Madridit kërkon më tepër minuta në dispozicion nga trajneri Hoze Mourinjo. Në të kundërt...

Ish-sulmuesi i Olimpikut të Lionit është lodhur nga roli i zëvendësuesit me minutazh të kufizuar në skuadrën mbretërore. “Kështu e ka jeta", pohoi Benzema për të përditshmen sportive franceze "L’Equipe".

“Ka momete të vështira që duhen përballuar. Punoj çdo ditë për të fituar një vend titullari dhe kam forcë të madhe mendore. Por nëse do të kem gjithnjë vetëm pesë minuta në dispozicion, ka për të qenë e vështirë. Luaj kaq pak, sa ndonjëherë s’e prek as topin”.

Sinjal i qartë për Realin, e sidomos për Hoze Mourinjon: nëse s’luaj, largohem. Admiruesit për 23-vjeçarin janë të shumtë, duke filluar që me Aleks Fergusonin që vazhdimisht ka shfaqur interes për ta sjellë në “Old Traford”. Në listë janë edhe të mëdhenjë e Italisë: Juventusi, Interi dhe Milani.