Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, është fituesi i çmimit prestigjioz të këtij viti, Topi i Artë, që ndahet nga revista franceze France Football.
22-vjeçari bëhet fituesi i parë i këtij çmimi nga Argjentina, duke lënë prapa fituesin e vitit të kaluar, Cristiano Ronaldo, me një rekord prej 240 pikësh diferencë.
Juria e përbërë prej 96 anëtarëve, gazetarë të sportit nga e gjithë bota, i kanë dhënë Messi 473 pikë nga 480 të mundshmet, që është po thuajse një vendim unanim.
Fitorja vjen pas një viti të shkëlqyeshëm të argjentinasit. Ai ndihmoi Barcelonën të fitojë Ligën e Kampionëve duke shënuar nëntë gola, përfshirë një të finales kundër Manchester United,. Messi shënoi edhe gjashtë gola në Kupën e Mbretit dhe 23 në La Liga, gara të cilat po ashtu i fitoi Barcelona.
Ronaldo, ekipi i ri i të cilit u mposht nga Barcelona në Clasico gjatë të dielës, mblodhi 233 pikë në pozitën e dytë. Dy pozitat tjera po ashtu pushtohen nga lojtarë të Barcelonës, Xavi me 170 pikë dhe Andres Iniesta me 149. Samuel Eto'o, i cili u largua nga Barcelona gjatë verës, ka kompletuar top pesëshin./