02 dhjetor 2009

KB: Caktohen ‘vazot’, të premten shorti

Komiteti organizues i FIFA-s ka publikuar ‘vazot’ për Kampionatin Botëror 2010, ndërsa shorti do të tërhiqet të premten në Cape Town.
Caktimi i ‘vazove’ është bazuar në rangimet e tetorit, ndërkohë që Brazili, Spanja, Holanda, Italia, Gjermania, Argjentina dhe Anglia, janë shtatë përfaqësueset që iu bashkëngjitën Afrikës së Jugut në vazon e parë. Pritej që Franca të ishte në vazon e parë, mirëpo Holanda i zëvendësoi Les Bleus, ndërsa edhe Portugalia nuk mundi të sigurojë një vend në vazon e parë. Në vazon e dytë përfshihen përfaqësueset nga AFC (Australia, Japonia, Koreja Veriore, Koreja Jugore), CONCACAF (Hondurasi, Meksika, SHBA-të) dhe nga OFC (Zelanda e Re). Në vazon e tretë përfshihen skuadrat nga CAF (Algjeria, Kameruni, Bregu i Fildishtë, Gana, Nigeria) dhe nga CONMEBOL (Kili, Paraguai, Uruguai) Vazon e katërt e përbëjnë skuadrat e mbetura evropiane (Danimarka, Franca, Greqia, Portugalia, Serbia, Sllovaki, Sllovenia dhe Zvicra).