05 dhjetor 2009

Del Bosque: Grupi nuk është edhe aq i lehtë

Pas shortit të të premtes, kampioni i Evropës, Spanja, do të garojë në Grupin H përballë Hondurasit, Kilit dhe Zvicrës. Trajneri Vicente del Bosque thotë se grupi nuk është aq i lehtë sa duket në shikim të parë, por premton se përfaqësuesja e tij do të përgatitet në mënyrën më të mirë.
“Nuk duhet të shqetësohemi, e as të gëzohemi. (Nga grupi) Hondurasi është më pak i njohur, por ka këmbëngulësinë e vet. Kili është një skuadër e shkëlqyer. Zvicra është në formë të mirë...”, është cituar trajneri nga AS. Nëse kalon grupin, në 1/8 e finales Spanja mund të ndeshet kundër Brazilit, Portugalisë ose Bregut të Fildishtë, mirëpo Del Bosque thotë se njëherë do të provojë ta kalojë fazën grupore, pastaj do të mendojë për kundërshtarët tjerë.