Presidenti bardhezi premton dy blerje në janar
Juventusi është gati të rikthehet në merkato, ndërsa muaji janar që hap të drejtën e transferimeve po afron. Ai që e konfirmon një fakt të tillë është vetë presidenti i shoqërisë bardhezi, Xhovani Koboli Xhili. “Burimet për t’u hedhur në merkato nuk na mungojnë dhe nëse do t’i kemi mundësitë, sigurisht që mund të afrojmë një ose dy lojtarë gjatë muajit janar. Mos harrojmë që edhe në sezonin e shkuar kemi ndjekur të njëjtën politikë me Mohamed Sisokon. Tashmë që edhe problemet tona lidhur me bilancet financiare janë rregulluar ndjeshëm nga sezoni i shkuar, mund të jemi më të qetë”, pohon numri një i klubit torinez. I pyetur mbi mundësinë e mbërritjes së një objektiv të vjetër dhe shumë të njohur, si spanjolli Ksabi Alonso, Xhili përgjigjet shkurt: “Ksabi nuk na intereson më”.