31 tetor 2008

Milani përgatit 35 milionë euro për Çesk Fabregas

Kuqezinjtë arrijnë marrëveshjen me Devid Bekham: vjen më 7 janar
Milani synon të rinovojë skuadrën, duke zëvendësuar veteranët me talentet e rinj... të Arsenalit. Klubi kuqezi ka ofruar 35 milionë euro për blerjen e mesfushorit spanjoll, Çesk Fabregas, i cili po e shqyrton seriozisht mundësinë e transferimit në një skuadër tjetër. Lajmi është përhapur në Angli dhe, sipas mediave, lojtarit 21-vjeçar i pëlqen ideja për të luajtur me një klub të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare si Milani. Megjithatë, ylli i "topçinjve" ndiqet me shumë vëmendje edhe nga klubet më të mëdha iberike, me Realin e Madridit dhe Barcelonën, që qëndrojnë në pritje. Shifra prej 35 milionë eurosh po studiohet me shumë kujdes nga drejtori i Përgjithshëm i Arsenalit dhe nga tekniku Arsen Venger, të cilët po shqyrtojnë me kujdes çdo hipotezë të mundshme. Ndërkohë, kuqezinjtë kanë zyrtarizuar dje marrëveshjen për huazimin e Devid Bekham. Mesfushori anglez do të federohet më 7 janar, dita kur fillojnë regjistrimet për lojtarët e afruar gjatë merkatos së dimrit.