30 tetor 2008

Tirana ndalet në Pukë

Partizani, rilindja e të kuqve fillon nga Tepelena Rezultatet e ndeshjeve ndeshjet vajtje të turit të parë të edicionit të 57-të Kupës së Shqipërisë kanë konfirmuar parashikimet, ku "të mëdhenjtë" e Superiores kanë dominuar, duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit. Por me një përjashtim të vogël: Tirana nuk ka mundur të shkojë më tej se një barazim 1-1 në Pukë ndaj Tërbunit. Po ky rezultat nuk mund të konsiderohet si shumë i keq për bardheblutë, të cilët këtë sfidë në qytetin verilindor të Shqipërisë e kishin parë si një test për futbollistët e rinj dhe për ata që ishin aktivizuar pak në këtë fillim sezoni. Sipas informacioneve që mbërrijnë nga Puka, përballja Tërbuni-Tirana, më shumë se një ndeshje pragmatiste, ka pasur ngjyra tërësisht festive. Ndoshta edhe kjo ka qenë një arsye që bardheblutë mund të kenë toleruar në lojë, duke pasur besim se në ndeshjen e kthimit në kryeqytet do të vendosin gjithçka. Kryeqytetasit e kanë parë veten në dizavantazh në minutën e 23, kur Tafili ka shënuar golin për vendasit. Vetëm 15 minuta më vonë, ka menduar Xhafaj për të rikthyer qetësinë te bardheblutë me golin e barazimit. Në dy përballjet e më pasme mes këtyre dy ekipeve, Tirana kishte koleksionuar 2 fitore. Ndërsa "të mëdhenjtë" e tjerë të Kategorisë Superiores, e kanë shfrytëzuar këtë ndeshje të parë për të koleksionuar një kualifikim të parakohshëm për në turin tjetër të Kupës, duke i lejuar vetes të shkojnë më të qetë në ndeshjet e kthimit. Agim Canaj (i kritikuar së fundi në kampionat) kërkoi nga Vllaznia goleadë në Librazhd, ku kuqeblutë mundën Sopotin 4-0. Kjo ishte e katërta fitore në Kupë kundër Sopotit, në 7 ndeshje historike të luajtura mes këtyre dy ekipeve. Një tjetër fitore garant për kualifikimin në turin tjetër ka qenë edhe ajo e Partizanit 5-1 në fushën e Tepelenës. Në tri përballje midis tyre: tre fitore të Partizanit, 10 gola të shënuar, 2 të pësuar. Gramozi i vendit të dytë në Kategorinë e Parë, nuk mundi t‘i rezistojë superioritetit të Shkumbinit, duke u mundur 0-2 në shtëpi. Tendencës për të siguruar kualifikimin që në takimin e parë, nuk i ka shpëtuar as Elbasani. Verdheblutë e Josës kanë fituar 3-1 në folenë e Tomorit, skuadrës së njohur që tani militon në Kategorinë e Dytë. Bilanci pas 14 ndeshjeve: 5 fitore Elbasani, 5 barazime e 4 fitore Tomori. Stonon disi Dinamo, e cila duket se nuk ka dashur të harxhojë shumë energji në ndeshjen e parë në Kupë. Blutë e Daliç mundën 1-0 Albpetrolin në Patos, në të parën përballje historike mes këtyre skuadrave. Një sfidë e pritur me shumë interes ishte ajo mes Laçit dhe Skënderbeut, dy skuadrat rivale të Kategorisë së Parë. Laçianët fitojnë 2-1, por ky rezultat premton një sfidë të ndezur në ndeshjen e kthimit.