30 tetor 2008

Moggi: Referat e shkaktuan Calciopolin

Shefi i dikurshëm i Juventusit dhe i akuzuari kryesor për skandalin Calciopoli, Luciano Moggi, ende vazhdon ta konsiderojë veten të pafajshëm për skandalin i cili përfshiu futbollin italian, duke thënë se referat janë vetë fajtorë për gabimet e tyre.
Moggi ka folur për reagimet që i ka bërë pronarja e Romës, Rosella Sensi (vajza e presidentit të ndjerë), ndaj gjyqtarëve pas humbjes së Romës në fundjavë kundër Udineses, duke thënë se janë pikërisht të tjerët ata që duhen fajësuar dhe jo ai. “Rosella Sensi është nevrikosur për atë që ndodhi të dielën në Udinese, derisa vetëm para dy javësh ishte po e njëjta Rosella që tha se gjithçka është në rregull me Serie A. Ndërsa tash sapo ndodhin gabime, ajo vjen dhe reagon ngjashëm sikurse babai i saj që bënte dikur”. “Kjo lë të kuptohet se nuk ishte Moggi ose Giraudo, ose dikush tjetër që i detyroi referat të gabonin, mirëpo ishin thjeshtë gabime të cilat ndodhin në futboll”, ka thënë Moggi, për të cilin thuhet se mund të gjejë ndonjë mënyrë që t’i kthehet sërish futbollit, pavarësisht kufizime që i ka për shkak të skandalit.