30 tetor 2008

“Kemi luftuar, por loja e mirë është ende larg”

Trajneri i Interit, Zhoze Murinjo, nuk është plotësisht i kënaqur nga ndeshja e zhvilluar në Firence, megjithatë mendon se barazimi ishte rezultati më i drejtë. “Skuadra ka luftuar, por gjithsesi, loja e mirë është ende larg. Kemi akoma shumë punë për të bërë. Ndeshja me Fiorentinën pritej të ishte e vështirë, dhe sigurisht që asnjë nga të dyja skuadrat nuk dëshironte ta humbiste këtë sfidë. Nuk kemi rrezikuar shumë, ndonëse Fiorentina i kishte përqendruar forcat e saj më të mëdha në mbrojtje. Nga ana tjetër, unë prisja shumë ekuilibër nga lojtarët e mi dhe fatmirësisht ashtu ka ndodhur, pasi nuk u kemi lënë hapësira të shumta sulmuesve kundërshtarë, me përjashtim të topave të gjatë që vinin në zonën tonë. Kemi pasur tri raste të pastra për shënim, por kemi qenë të pafat për t’i dërguar ata topa drejt rrjetës, - thotë tekniku portugez i zikaltërve. – Në Firence nuk është kurrë e lehtë të fitosh dhe sot u vërtetua më tepër se kurrë ky fakt, me gjithë mungesat e tyre të rëndësishme si Xhilardino e Mutu, por pa harruar edhe tonat, të cilat ishin gjithashtu po aq të rëndësishme. Megji-thëkëtë, nuk duhet të harrojmë se vijmë nga shumë ndeshje të luajtura radhazi në një hark kohor të shkurtër, kështu që një humbje e rendimentit të lojtarëve është mëse e kuptueshme”. Me këtë barazim, Interi ia ka dorëzuar kreun e renditjes skuadrave të Udinezes dhe Napolit, të cilat kanë triumfuar në sfidat respektive kundër Katanias e Rexhinës, por gjithsesi një fakt i tillë nuk e shqetëson Zhoze Murinjon. “Nëse ekziston ndonjë trofe i veçantë për stinën e vjeshtës, atëherë është e vërtetë që e kemi humbur atë, por gjithsesi mua më intereson më shumë ai i verës së ardhshme, i fundit të sezonit. Kryesueset e reja? Dua të përgëzoj Udinezen dhe Napolin, të cilat po zhvillojnë një kampionat të shkëlqyer dhe e meritojnë plotësisht pozicionin që aktualisht zotërojnë”, përfundon kreu i pankinës së Interit.