31 tetor 2008

"Mea culpa" e Murinjos: është faji im

Trajneri i Interit merr përsipër përgjegjësitë për mungesën e fitoreve
Barazimi dytë radhazi, 0-0, për Interin e Murinjos: nëse ai kundër Xhenoas i kishte kushtuar parakalimin nga Napoli e Udineze, ai kundër violëve i lejon çiftit të kreut të largohet dhe Milanit të kalojë mbi zikaltrit. Megjithatë, Murinjo nuk dorëzohet: "Them se kam besim te skuadra ime. Në ndeshjet e fundit, nuk kemi fituar, por kemi ‘humbur‘ kundër skuadrash me kualitet. Është e drejtë të flitet mirë për Xhenoan dhe për Fiorentinën. Nuk shkoj në shtëpi i kënaqur, pasi mua më pëlqen të fitoj gjithmonë. Por, nuk jam as i pakënaqur. Kemi luftuar shumë dhe për mua është fondamentale, pasi ne kemi shumë mundësi".Analiza - Trajneri portugez analizon te "Sky" ndeshjen kundër violëve: "Ata kanë luajtur me një 4-4-2 të mbyllur në mesfushë dhe ne kemi reaguar. Kemi pasur tre mundësi të mira për të shënuar, por edhe ata kishin rastet e tyre. Ishte një ndeshje pa gol, por e vërtetë. Nuk është e lehtë të fitosh në këtë fushë. Pas një periudhe me shumë ndeshje radhazi, të mitë kanë bërë një sfidë serioze, nuk mund të flas keq për askënd". Përgjegjësitë - "Special One" pret rikthimin e shumë të dëmtuarve, por beson shumë dhe te Kuarezma, edhe pse në këtë fillim sezoni nuk ka treguar akoma asgjë: "Mund të them se nuk kam në dispozicion lojtarë të rëndësishëm. Një gjë e tillë ndodh që nga fillimi i sezonit. Por, nëse skuadra nuk fiton, përgjegjësia është e trajnerit. Kuarezma? E njoh që prej 4-5 vitesh, jam i sigurt për atë që ai mund të bëjë dhe do ta bëjë. Në këto momente, nuk po luan mirë, të mërkurën luajti 10 minuta".Ndryshimi - Nëse të dielën e kaluar Murinjo ishte një lum i rrëmbyeshëm, duke sulmuar madje edhe lojtarët e tij, këtë herë, pas barazimit 0-0 me Fiorentinën, trajneri i Interit zgjedh një tjetër linjë, duke mbrojtur skuadrën dhe duke lëshuar mesazhe optimizmi. "Mund të them se kampionati përfundon në maj dhe nuk ka asnjë kupë dimri", thotë portugezi. "Është e vërtetë që Interi nuk shënon prej 180 minutash, por të mos harrojmë Romën dhe Torinon, ku kemi dominuar dhe nuk kemi pësuar asnjë gol. Sigurisht, skuadra po vuan disi në kërkim të golit, por ama jemi gjithmonë në kërkim të tij. Ndeshja e Romës mbetet si takimi perfekt...".Morati - Edhe pse nuk po ecin mirë, presidenti Masimo Morati nuk ka ngurruar të konfirmojë besimin e tij për trajnerin. Por, nuk pëlqen krahasimet mes Interit të Mançinit dhe atij të Murinjos. Morati shpjegon: "Kjo duhet të karikojë maksimalisht Murinjon për të ecur përpara, por çdo kampionat ka historinë e tij: Ky është vërtet i vështirë dhe ne kemi ndryshuar disa gjëra. Prandaj nuk mund të krahasoj dy skuadrat, që kanë luajtur në kohë të ndryshme". Adriano Murinjo vazhdon të jetë i pakënaqur me "livadhisjen" e brazilianit në klubet e natës, dhe mendon që mund ta largojë në merkaton e janarit. Tekniku mendon se mungesa e theksuar e disiplinës te sulmuesi mund të ndikojë negativisht te pjesa tjetër e skuadrës.