30 tetor 2008

Kosovare Asllani krahasohet me Ronaldinjon

Dy vjet më parë ishte e panjohur, por tashmë Kosovare Asllani gëzon statusin e një ylli. Me paraqitjet e saj në elitën e futbollit suedez, me ekipin e Linkopingsut për femra, ajo i ka mahnitur të gjithë specialistët.
Për shkak të stilit të saj të lojës, nuk kanë munguar as krahasimet me yllin e Milanit, Ronaldinjo.
Edhe pse vetëm 19-vjeçare, sulmuesja me origjinë nga Mitrovica, po përjeton një ëndërr: ajo ka debutuar me Kombëtaren “A” të Suedisë, ndërsa tashmë është përfshirë në garën për çmimin “Surpriza e Vitit” nga Federata e Futbollit në vendin nordik.
“Federata më ka nominuar, fituesja do të shpallet në bazë të votave të trajnerit të Kombëtares, Tomas Denerbi, trajnerëve të ekipeve dhe mediave”, tha Asllani, për gazetën kosovare “Express”.
Në garë janë edhe tri futbolliste të tjera: Xhesika Landstrom (Linkopings), Luiz Fors (AIK) dhe Nazanin Vaseghpanah (Hamarbi), ndërsa çmimi do të jepet më 17 nëntor në një mbrëmje gala.