30 tetor 2008

Napoli kërcënon pretendentet

Napoli kërcënon pre-tendentët. Jo rastësisht të kaltrit gjenden në krye të klasifikimit. Dje kundër Rexhinës skuadra e Rejës arriti fitoren e tretë radhazi dhe gjendet në krye të klasifikimit me 20 pikë. Treshja Hamshik-Laveci–Denis i ka habitur të gjithë dje, teksa kanë shkatërruar skuadrën kalabreze. Sfida e radhës të dielën ndaj Milanit në “San Siro” do të jetë vërtetë e nxhetë. Milani mundi dje jo pa vështirësi Sienën. Kuqezinjtë e Ançelotit edhe me shumë fat arritën të merrnin tre pikët falë eksperiencës dhe cinizmit, pasi Siena i vuri shpesh herë në vështirësi. Inzagi zhbllokoi rezultatin pasi një gol të shënuar në limitet e pozicionit jashtë loje, por më pas bardhezinjtë kanë barazuar me anë të Vergasolës. Megjithatë, barazimi ishte vetëm i përkohshëm sepse Kaka riktheu avantazhin pas një goli të shënuar me penallti, të fituar sërish nga Inzagi. Në minutat e fundit të lojës Siena ushtroi më tepër presion, por Milani, falë edhe eksperiencës mundi të rezistojë dhe të marrë një tjetër tri pikësh të vlefshëm, duke u ngjitur në kuotën e 19 pikëve. Një tjetër hap i rëndësishëm i kuqezinjve të cilët përfituan edhe nga ndalesa e Interit, duke i lënë pas “kushërinjtë” zikaltër. Skuadra e drejtuar nga Murinjo nuk mundi të merrte më shumë se një pikë ndaj Fiorentinës, në ndeshjen që përfundoi me rezultatin e bardhë 0-0. Në këtë sfidë mbizotëroi taktika, pasi ekipet u treguan tejet të kujdesshme në fazën mbrojtëse. Interi e nisi vrullshëm ndeshjen, madje për pak realizoi me Mansinin që në minutën e 9-të, por më pas ekipi i Prandelit arriti të fitonte terren duke e balancuar lojën. Juventusi arriti një fitore të rëndësishme dje në transfertë ndaj Bolonjës, teksa fitoi në fushën e kësaj të fundit me rezultatin 2-1. Heroi i mbrëmjes ishte Pavel Nedved, i cili me dy golat që shënoi, zhvlerësoi golin Marko Di Vaios. Bardhezinjtë renditen në vendin e nëntë me 15 pikë. Udineze nuk di të ndalet. Bardhezinjtë ruajnë kreun e Serisë A, pasi mundën 2-0 në transfertë Katanian me gola të Sançez dhe Kualjarelës. Lacio mundi Kievon në fushën e kësaj të fundit me rezultatin 2-1. Xhenoa konfirmoi edhe njëherë momentin e mirë që po klaon pasi mundi 2-1 Kaljarin me gola të realizuar nga Papastadhopulos dhe Motës. Për kuqeblutë golin e vetëm e shënoi Bianko. Leçe e Palermo ndanë nga një pikë në takimin e djeshëm pas barazimit 1-1 mes tyre. Torino mes shumë vuajtjesh mundi Atalantën 2-1 me gola të Amoruzos dhe Stelones. Golin e nderit për Atalantën e shënoi Flokari. Ndeshja Roma-Sampdoria u anulua për shkak të kushteve atmosferike.