30 tetor 2008

Jeta dhe "krimet" e Diego Armando Maradonës

Historia me uljet dhe ngritjet e personazhit që u shndërrua në një mit në botën e futbollitPas shumë vitesh, duke luftuar me problemet shëndetësore, kjo që Diego Armando Maradona arriti në moshën 48-vjeçare, mund të cilësohet diçka e ngjashme me një mrekulli. "Pibe de Or" ka fatin të jetë trajneri i ri i Argjentinës: kapitulli më i fundit i një historie me lavdi, polemika dhe sërish lavdi, për atë që cilësohet personazhi më i diskutuar në futboll. Në historinë e këtij sporti janë të paktë lojtarët, karriera dhe jeta e të cilëve është shoqëruar me admirim, por në të njëjtën kohë edhe me kritika të ashpra. Tejet i talentuar kur kishte topin nëpër këmbë, Maradona kishte aftësinë t‘i ngrinte skuadrat ku luante (Napolin dhe Argjentinën) në nivelet më të larta. Por, janë të shumtë ata që mendojnë se Maradona është një hileqar, kryesisht anglezët. Gjeniu i tij përmblidhet më së miri në një ndeshje të vetme: çerekfinalja e Botërorit 1986 në Meksikë, ku Argjentina fitoi 2-1 me Anglinë. Në të 51-tën, shënoi në portën e "Tre Luanëve" me dorë. Gjyqtari Al Bin Naser akordoi gol të rregullt, pavarësisht protestave të lojtarëve britanikë. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, ai tha një prej frazave më të famshme në sport, duke pretenduar se goli u realizua "pak me kokën e Maradonës dhe pak me dorën e Zotit". Pesë minuta më pas në këtë sfidë, Maradona fitoi zemrat e të gjithëve, duke shënuar atë që cilësohet goli më i bukur në histori. Numri 10 i argjentinasve rikuperoi një top në mesfushën e tij dhe me 11 prekje vrapoi drejt zonës angleze, duke dribluar pesë lojtarë kundërshtarë përpara se të mposhte Shiltonin. Ai debutoi me Argentino Xhunjors në vitin 1982, kur ishte vetëm 15 vjeç, ndërsa 6 sezone më pas u transferua te Barcelona, për shifrën rekord prej 5 milionë sterlinash. Edhe pse fitoi një "Kupë të Mbretit", ingranimi në skuadër ishte i vështirë dhe situata u përkeqësua kur ai "ra në dashuri" me kokainën, duke u shndërruar në përdorues të rregullt. Pas debateve me drejtuesit katalanë, u transferua te Napoli për një tjetër shifër rekord, 6.9 milionë sterlina. Argjentinasi u shndërrua menjëherë në heroin e qytetit dhe e udhëhoqi klubin drejt pesë viteve të lavdishme, periudhë në të cilën Napoli fitoi dy herë titullin në Serinë A, u shpall në dy raste nënkampion dhe fitoi Kupën UEFA dhe Kupën e Italisë. Në këtë kampionat ai u pezullua edhe me 15 muaj në vitin 1991, pasi rezultoi pozitiv me kokainë. Pas ndëshkimit, sulmuesi arriti të siguronte një vend në Botërorin 1994, në SHBA, eveniment nga i cili u largua mes turpit: organizatorët e dërguan në shtëpi, sepse rezultoi pozitiv me substancën e ndaluar, efedrinë. Maradona u tërhoq nga futbolli aktiv në vitin 1997, në moshën 37-vjeçare dhe problemet e vërteta filluan pikërisht në këtë periudhë. Trupi e tradhtoi për shkak të abuzimeve, por kur u duk se ishte në prag të vdekjes, ai e mori veten dhe u bë i ftuar në një emision televiziv në Argjentinë. Në vitin 2000, Maradona fitoi edhe çmimin "Lojtari i shekullit" nga FIFA, përkrah brazilianit Pele.