30 tetor 2008

Juventusi, merkato Amerikano-jugore

Diego i afrohet gjithmonë e më shumë Juventusit dhe menaxheri i tij, që është njëkohësisht edhe i ati, Djair Kunja, po punon këto ditë për të mbyllur përfundimisht procedurat e divorcit të brazilianit me gjermanët e Verder Bremenit, gjë që mendohet të ndodhë që në janar. Italia dhe Spanja janë pistat e preferuara nga Diego. Këto ditë, Djair Kunja ndodhet pikërisht në Milano, ku po interesohet për ofertat e ndryshme ardhur në adresë të të birit, ndonëse më të interesuarit duken bardhezinjtë e Juventusit. Këtë fakt e përforcon edhe prania e menaxherit të Diegos në derbin ndërmjet Torinos dhe Juventusit. Nëse Klaudio Ranieri dhe presidentiKoboli Xhili e kishin përgënjeshtruar ftesën nga ana e tyre të deleguarve të fantazistit brazilian, administratori i përgjithshëm i klubit juventin, Zhan Klod Blank, ka pranuar se lojtari është një ndër objektivat e bardhezinjve. Megjithatë, përpara muajit janar nuk mund të fillojë të bëhet asgjë, nëse Diego nuk zgjidh fillimisht marrëdhëniet e tij me skuadrën e Verder Bremenit. Por Diego nuk i vetmi, sepse edhe emrat e fundit të dëgjuar në ambientimet e klubit torinez lidhen me lojtarë amerikano-jugorë, në mënyrë që klasi latin t’i sjellë disi më fantazi skuadrës së Klaudio Ranierit. Pikërisht për këtë arsye, dy ndër emrat për përforcimin e skuadrës bardhezi në muajin janar janë argjentinasit: Galeti, mesfushor fantazist i grekëve të Olimpiakosit të Pireut dhe mbrojtësi 20-vjeçar i formacionit brazilian të Gremios, Mationi Rohde, i ashtuquajtur Felipe. Këto dy alternativa janë më të thjeshtat për t’u mbyllur me sukses në muajin janar, pasi askush prej Galetit dhe Mationit nuk do të humbiste rastin të ishte pjesë e njërit prej grupeve më të mëdha në botë. Pavarësisht emrave të lartpërmendur, objektivi dhe ëndrra më e madhe e trajnerit Klaudio Ranieri për të përforcuar mesfushën e tij është ajo e spanjollit të Barcelonës, Ksavi Hernandez, i cili duket se nuk po gjen ende gjuhën e përbashkët me presidentin Laporta për rinovimin e kontratës aktuale.