29 tetor 2008

Ranieri nuk do të ndalet as në Bolonja.

Klaudio Ranieri është shumë i karikuar në prag të transfertës së Bolonjës, ndonëse për këtë sfidë do i duhet të bëjë pa kapitenin Alesandro Del Piero, i lënë jashtë skuadre për t’u çlodhur për ndeshjen e së dielës kundër Romës. Trajneri bardhezi kërkon përqendrimin maksimal nga lojtarët e tij, për të vazhduar ndjekjen e pozicioneve të para. “Do të jetë një ndeshje e tmerrshme. Bolonja nxjerr gjithmonë më të mirën e saj në sfidat përballë skuadrave të mëdha dhe, sigurisht, që djemtë e Arrigonit do të duan të përsërisin suksesin e dhjetë ditëve më parë kundër Lacios, të fituar 3-1. Ne, nga ana tjetër, duhet të përballemi me dëmtime të shumta, por gjithsesi pjesa tjetër e skuadrës është gati për të përballuar këtë takim. Kamoranezi? Këto dy ditë ai është stërvitur rregullisht me skuadrën, por gjithsesi Mauro vazhdon të jetë në fazën e rikuperimit dhe sigurisht që nuk dua ta shpejtoj kohën e tij të rikthimit”, tha drejtuesi i stolit juventin. Klaudio Ranierin e shqetëson mjaft çështja e dëmtimeve të shumta, ku emrave si Bufon e Trezege, u është bashkuar edhe ai i kapitenit Del Piero si rrjedhojë e një lodhjeje muskulore, por gjithsesi ai vazhdon të besojë tek një ecuri e mbarë dhe kërkon pikë të rëndësishme në Bolonjë. “Tani duhet të mendojmë vetëm për të grumbulluar sa më shumë pikë. Po kalojmë një moment të vështirë dhe kjo është kura më e mirë për ta kaluar atë. Renditja e çuditshme? Për mua nuk është aspak kështu. Pak a shumë të gjithë e kishim parashikuar një Napoli të madh, por edhe Udineze ka vite që konfirmohet në zonat e larta të renditjes së Serisë A”, ka pohuar tekniku i skuadrës së Juventusit, Klaudio Ranieri.