30 tetor 2008

“Unë jam pasardhësi i Tierri Hanrisë”

Bomberi i Arsenalit, Emanuel Adebajor, u shpreh për median londineze së është i gatshëm të imitojë legjendarin e “topçinjve”, Tierri Hanri, për t’i dhuruar sa më shumë trofe skuadrës së tij. “Mbaj mend herën e parë kur luajta me Hanrinë kundër Totenhemit. Ai më tha në dhomat e zhveshjes: ‘Nëse shënon kundër kësaj skuadre, do të kthehesh në idhull për tifozerinë. Të gjithë do të të duan’, - tha Adebajor për ‘Daily Mail’. – Nuk e mora aspak seriozisht, sepse të gjithë e dinin se Hanri bënte shaka gjithmonë. Mirëpo kur shënova, dëgjova që i gjithë stadiumi këndonte emrin tim. Por nuk është vetëm ky mësimi që mora prej francezit. Kam edhe shumë leksione të tjera që shpresoj t’i zbatoj gjatë këtij sezoni. Jam i gatshëm që edhe unë, sikurse ‘Titi’, të kthehem në heroin e këtij klubi. T’i jap Arsenalit sa më shumë lavdi”.