03 tetor 2008

LAJMET NEWS 03.10.2008

Oddo: Italianët duhet t’i marrin shembull gjermanët
Milanisti i huazuar te Bayern Munichu, Massimo Oddo, e ka lavdëruar ambientin familjar në stadiumet gjermane duke pohuar se Kampionati italian mund të mësojë nga Bundesliga.
Në Itali ka pasur shumë probleme nëpër stadiume si pasojë e dhunës së tifozëve këto vitet e fundit, derisa më i riu ishte incidenti i një tifozi të tërbuar napolitan në ndeshjen e parë të sezonit kundër Romës. “Në gjermani njerëzit shkojnë në stadiume me fëmijët e tyre, ndërsa tifozët e të dyja skuadrave janë të përzier”. “Ky është një triumf i madh për sportin. Fatkeqësisht, në Itali, një e gjë e tillë nuk është e mundur”, ka thënë mbrojtësi italian.

Haan nuk bën ndryshime për ndeshjet e radhës
Trajneri holandez i kombëtares shqiptare, Arie Haan, ka besim të plotë tek ekipi që barazoi me Suedinë dhe mposhti Maltën, duke mos ndryshuar zgjedhjet e tij për ndeshjet e radhës.
Arie Haan ka vendosur të mos e ndryshojë listën e lojtarëve për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botërorë 2010, atë kundër Hungarisë më 11 tetor dhe kundër Portugalisë më 15 tetor. Kështu për të mbrojtur portën është thirrur treshja, Beqaj, Hidi, Lika, ndërsa për mbrojtjen, Haan i beson sërish Dallkut, Vangjelit, Currit, Vrapit, Liles, Telit dhe Beqirit. Mesfusha është reparti me emrat më cilësore pasi, Cana, Lala, Duro, Skela, Agolli, Bakaj, Hyka dhe Bulku janë thirrur për të qenë pjesë e repartit më delikat të kombëtares kuqezi. As në sulm trajneri i Shqipërisë nuk ka bërë ndryshime duke ftuar katërshen Kapllani, Berisha, Bogdani dhe Salihi, të cilët do të luftojnë për vend në formacionin e parë. Siguria më e madhe e kombëtares për këto dy ndeshje është Arjan Beqaj, portieri i Anorthosis, i cili ka shkëlqyer në Evropë me klubin e tij modest, ndërsa edhe në dy ndeshjet e para me kombëtaren, duke mbajtur portën e paprekur.

Scolari interesohet për Fabianon
Sipas mediave angleze, Luiz Felipe Scolari do të përpiqet që në afatin kalimtar të janarit të sjellë në radhët e veta sulmuesin brazilian të Sevillas, Luis Fabianon.
Sipas “Times”, Scolari është në kërkim të një zëvendësuesi për Didier Drogban, pasi që sulmuesi i Bregut të Fildishtë sërish pësoi lëndim në ndeshjen e Ligës së Kampionëve në udhëtim tek ekipi rumun Cluj. Lëndimi i Drogbas erdhi menjëherë pas rikthimit të tij në fushë, pas një pauze të gjatë. Pavarësisht që Drogba do të pauzojë vetëm disa javë, Scolari dëshiron të sjellë edhe ndonjë sulmues duke pasur frikë nga lëndimet e reja të tij.

Panucci do ta përfundojë karrierën te Roma
Agjenti i veteranit të Romës, Christian Panucci, ka njoftuar se klienti i tij dëshiron ta përfundojë karrierën në Stadio Olimpico.
Mbrojtësi romak u është bashkëngjitur Giallorossëve në vitin 2001, duke bërë më shumë se 200 paraqitje për Romën me të cilën ka fituar edhe dy Kupa të Italisë. Pavarësisht moshës së tij (35-vjeçare), Panucci është duke treguar formë dhe kondicion të mirë, ndërsa gjatë Euro 2008 ka qenë njëri nga lojtarët më të mirë të Italisë. “Panucci është një profesionist i cili e dëshiron punën e tij, ai punon me entuziazëm. Fshehtësia e tij është puna, sakrifica, pasioni dhe talenti natyror”. “Dëshira e tij është që ta përfundojë karrierën te Roma dhe unë mendoj se do të ndodhë kështu. Ai është i lidhur me këtë skuadër dhe me këtë qytet”, ka thënë agjenti i lojtarit.

Shevchenko i kënaqur pas golit të parë
Sulmuesi ukrainas Andriy Shevchenko është shumë i lumtur pas arritjes së golit të tij të parë që nga rikthimi tek Milani.
Mbrëmë Shevchenko shënoi golin e vetëm të ndeshjes së Kupës UEFA përballë Zurichut, duke i sjellë edhe një fitore Milanit, që kualifikohet për në fazën e grupeve me rezultat të përgjithshëm 4-1. “Jam i lumtur që më në fund shënova. Dua t’i falënderoj tifozët për përkrahjen që ma japin, madje edhe kur bëra gabime në fillim të ndeshjes”, ka thënë Shevchenko pas ndeshjes së mbrëmshme.

Kuyt: Gerrard nuk do të shkojë te City
Para ndeshjes së fundjavës të cilën Liverpooli e zhvillon kundër Manchester Cityt, holandezi Dirk Kuyt, thotë se Steven Gerrard nuk do t’u bashkëngjitet pasanikëve.
Gerrard është në krye të listës së trajnerit të Cityt, Mark Hughes, për të qenë njëri nga transferimet shumë milionëshe të cilat planifikojnë t’i bëjnë pronarët e rinj të Cityt, mirëpo Kuyt thotë se kapiteni i Reds-ave nuk do të largohet nga Anfield. “Nuk mendoj se ndonjë lojtar nga këtu mund të kalojë te City, sepse Liverpooli është një skuadër shumë më e madhe”. “Unë luaj sezonin e tretë këtu dhe kënaqem çdo ditë. E di se sa i madh është ky klub, jo vetëm në Angli por në mbarë botën, dhe kjo ka një rëndësi të madhe për të gjithë lojtarët që luajnë këtu”. “Stevie është Liverpooli, kështu që o të ishte shumë vështirë për ta blerë atë. Mendoj se ai kurrë nuk do të kalojë te City”, ka përfunduar Kuyt.

Shevchenko shёnon pёr fitoren ndaj Zurichut
Njё lojё e shkёlqyeshme nga Ronaldinho i ka lejuar sulmuesit ukrainas Andriy Shevchenko tё gjejё portёn pёr tё parёn herё pas rikthimit tё tij tek Milani, nё fitoren minimale ndaj Zurichut, ndeshje e vlefshme pёr Kupёn UEFA.
Trajneri Carlo Ancelotti do tё jetё mё i qetё, pasi qё fitorja e sotme e kualifikon Milanin pa ndonjë problem pёr nё fazёn e grupeve tё Kupёs UEFA. Ndeshja e parё mes dy ekipeve kishte pёrfunduar 3-1 nё favor tё rosonerёve, qё e çon rezultatin e pёrgjithshёm nё 4-1. Shevchenko, i cili ishte i qetё shumicën e ndeshjes, shёnoi pas 70 minutash lojё pёr t’i sjellё fitoren ekipit italian dhe pёr tё rritur avantazhin pas dy ndeshjeve. Ukrainasi pati edhe njё rast tjetër disa çaste mё vonё, por goditja e tij me kokё u bllokua.

Real Madrid interesohet për Ager
Zëvendëspresidenti i Real Madridit, Jose Angel Sanchez, ka zbuluar se klubi spanjoll në janar do të përpiqet ta angazhojë mbrojtësin e Liverpoolit, Daniel Ager.
Sanchez ka deklaruar për mediat britanike se Real Madrid seriozisht është i interesuar për danezin dhe shpreson se në janar ai do të jetë lojtar i kampionit të Spanjës. “Ai është futbollist të cilin e përcjellim një kohë të gjatë. Me siguri do të dërgojmë ofertë në janar. Ager është futbollist i klasit botëror dhe pa dyshim do t’u përshtatej planeve tona”, ka thënë Sanchez. “Ne kemi nevojë për mbrojtës dhe sulmues, dhe për momentin Ager është në maje të listës sonë”, ka shtuar Sanchez.

Wenger shpreson në rikthim të Rosickyt
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se është vështirë të parashihet data e saktë kur do të rikthehet Rosicky, por shpreson se kjo do të ndodhë para fundvitit.
Për shkak të lëndimit të tetivës në janar, 28-vjeçari një kohë të gjatë po qëndron jashtë ndeshjeve të Arsenalit, por Wenger shpreson që ai të rikthehet para fundit të vitit. “E përcjelli zhvillimin e gjendjes së Rosickyt, por për momentin është vështirë të thuhet data e saktë kur ai do të rikthehej. Ne nuk jemi pesimistë për të ardhmen e tij, por duhet të kemi durim”, thotë Wenger. “Nëse ai rikthehet para Krishtlindjeve do të ishte shumë mirë për ne, shpresojmë se deri në dhjetor sërish do të mund të luajë”, ka përfunduar menaxheri i Arsenalit.

Tottenham kërkon trajnerin e Cityt,
Mark Hughes Pas rezultateve të dobëta, Tottenhami është kthyer kah Mark Hughes të cilin e sheh si zëvendësim të trajnerit aktual Juande Ramos në stolin menaxherial.
Zyrtarët e Tottenhamit kanë kontaktuar dje me këshilltarët e Hughes për t’i ofruar atij detyrën e drejtimit të këtij klubi, disa orë para ndeshjes së Manchester Cityt me Omonia Nicosia, në kuadër të Kupës UEFA. Sipas mediave angleze, ata kanë ofruar 20 milionë euro për kontratën pesëvjeçare dhe kërkojnë që trajneri i ri të marrë drejtimin e këtij klubi gjatë javës së ardhshme, gjatë pauzës për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare. Hughes merr rreth 2.5 milionë funte në City, ku kaloi nga Blackburn gjatë kësaj vere. Por, ai ka në disponim sasi të pakufizuar të parave për transferime, sidomos tash pasi që klubi është blerë nga biznesmenët arab.

Ancelotti: Sheva dhe Ronnie janë kthyer
Trajneri i Milanit, Carlo Ancelotti, dhe zëvendëspresidenti, Adriano Galliani, e kanë lavdëruar Andriy Shevchenkon pas golit të parë në fanellën e Rossonerëve pas rikthimit gjatë afatit kalimtar në San Siro.
“Vuajtëm paksa në pjesën e parë pasi që ata bënin presion, megjithatë edhe ne patëm mundësitë tona”. “Sheva dhe Ronaldinho janë kthyer në formën më të mirë, veçmas nga aspekti atletik”. “Sonte i pushuam disa lojtarë për ndeshjen kundër Cagliarit, pasi që duhet ta fitojmë me çdo kusht dhe t’i japim fund paraqitjeve të këqija”, ka thënë Carlito.

Tottenham kualifikohet nё fazёn e grupeve,
Everton eliminohet Tottenham ka barazuar 1-1 nё fushё tё ekipit polak Wisla Krakor, megjithatë ёshtё kualifikuar pёr nё fazёn grupore tё Kupёs UEFA, falё fitores prej 2-1 nё ndeshjen e parё (rezultati i pёrgjithshёm nga tё dyja ndeshjet 3-2).
Vendasit sulmuan qё nga minuta e parё deri nё tё fundit, por portieri Gomez ishte heroi i mysafirёve duke i mbrojtur tё gjitha goditjet nё drejtim tё golit nё pjesёn e parё. Nё pjesën e dytё vendasit shënuan autogol, me anё tё Glowatsky (58’), por arritën ta pёrmirёsojnё gabimin duke barazuar 7 minuta para fundit tё ndeshjes me anё tё Brozek. Ekipi tjetër anglez, Evertoni ёshtё eliminuar nga gara e mëtejme e Kupёs UEFA, pas humbjes nga ekipi belgjian Standard Liege me rezultat tё pёrgjithshёm 4-3. Standard shёnoi fitore prej 2-1 nё ndeshjen e sotme, derisa ndeshja e luajtur nё Liverpool pati përfunduar me rezultat tё barabartё, 2-2.

Edhe Ronaldinho do të jetë në Tiranë
Superylli brazilian Ronaldinho do të jetë pjesë e ekipit të Milanit i cili do të udhëtojë në Tiranë, për ndeshjen e vlefshme për trofeun “Taçi Oil Albania Reads” kundër ekipit shqiptar.
Lajmi është konfirmuar nga organizatori i sfidës së 14 tetorit në stadiumin “Qemal Stafa”, Rezart Taçi. Pas një bisede që ai ka pasur me zëvendëspresidentin e Milanit, Adriano Galiani, ai është siguruar se ylli brazilian do të jetë pjesë e skuadrës që do të luajë në Shqipëri. “Pak ditë më parë, bisedova me administratorin e Milanit, Galianin, dhe ai më konfirmoi prezencën e Ronaldinhos në miqësoren që do të luhet në kryeqytetin tonë”, ka thënë Taçi. Ylli brazilian, fitues i Topit të Artë në vitin 2005, është lënë jashtë kombëtares së Brazilit nga përzgjedhësi Carlos Dunga, për ndeshjen kundër Venezuelës dhe Bolivisë, dhe mungesa e tij me kombëtaren do t’i mundësojë atij të dalë në fushë përballë Tiranës. Në ekipin e Milanit që do të udhëtojnë në Tiranë, pritet të jenë edhe yjet si Maldini, Seedorf dhe Shevchenko.

Rooney në dyshim për ndeshjen e fundjavës
Sulmuesi i Manchester Unitedit, Wayne Rooney, është në dyshim për të marrë pjesë në ndeshjen e vikendit kundër Balckburn Rovers, mirëpo do të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës të cilën e zhvillon Anglia për kualifikimet Botërore.
Rooney u largua nga ndeshja e Manchester Unitedit kundër Aalborgut në takimin e mesjavës në kuadër të Ligës së Kampionëve, ndërsa klubi ka konfirmuar me anë të një deklarate se sulmuesi do të jetë në dyshim këtë javë si pasojë e lëndimit të gjurit. United do të luajë kundër Blackburn Rovers të shtunën, ndërsa sipas të gjitha gjasave ai nuk do të përfshihet në listën e lojtarëve të Ferguson. Ndërkohë që Fabio Capello shpreson që Rooney të rikuperohet në kohë për t’u përfshirë në kualifikimet e Anglisë për Kampionatin e ardhshëm Botëror, Afrika 2010.

Cannavaro dëshiron të rikthehet tek Napoli
Shtylla e mbrojtjes së Real Madridit, Fabio Cannavaro, thotë se ka dëshirë të rikthehet tek Napoli para se pensionohet nga futbolli.
Cannavaro erdhi në Real Madrid nga Juventusi, në vitin 2006 pasi që Zonja e Vjetër u dërgua në Serie B, pas skandalit për montim të ndeshjeve që kaploi ligën italiane. Marrëveshja e 35-vjeçarit skadon në fund të këtij sezoni, pas së cilët pritet që italiani të rikthehet në qytetin e tij të lindjes dhe sërish ta veshë fanellën e Napolit, ku luajti gjatë periudhës mes viteve 1992 dhe 1995. “Kam edhe një vit nga marrëveshja ime me Real Madridin dhe nuk kam biseduar me drejtuesit për vazhdimin e kontratës. Gjithmonë ekziston dëshira për t’u kthyer në Napoli, ekipin nga qyteti im, ekipin i cili është në zemrën time”, ka thënë Cannavaro.

Lampard: Të gjithë duhet të shënojmë
Pas lëndimit të Dider Drogbas në ndeshjen kundër CFR Cluj, mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, ka theksuar se Blutë mund ta kompensojnë mungesën e tij duke ndarë me njëri-tjetrin përgjegjësitë e golashënuesit.
“Nëse Didier do të mungojë për një kohë, duhet të shënojnë gola të gjithë bashkëlojtarët, gjë që mund ta bëjmë edhe pse situata nuk është ideale”. “Nicolas është një sulmues i klasit dhe po ashtu e kemi edhe Salomon dhe të riun Franco di Santo, i cili edhe pse nuk ka përvojë, ka kualitete”. “Lajmi për Didier ishte i keq, sepse ai është shumë i rëndësishëm për ne. Shpresoj të mos jetë aq keq sa dukej, kështu që të kthehet sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë mesfushori anglez.