23 tetor 2010

Një Juventus nën këmbët e Krasiçit!

Vrapon, pason për gol, shënon, mjaft vendimtar. Është njeriu plus i “Zonjës” si në Ligën e Europës

Vrapo djalosh vrapo. Sepse nëse ndalon ti, ngadalësohet e gjithë Juvja. Në Salcburg të zbresësh Krasiçin në fushë, ishte sikur të rrotulloje çelësin në kuadrin e makinës: dhe Juvja u nis. Në 75 sekonda Krasiç barazoi, duke shfrytëzuar mirë një krosim të De Çeljes dhe pas dy minutave krosoi bukur për Del Pieron i cili goditi, duke iu afruar golit të dytë. Por në pjesën më të madhe të rasteve, Juvja e Ligës së Europës luajti dobët dhe nuk do ta meritonte nëse do të fitonte.

Por pati konfirmimin e disatë se sa i fortë është Millosh Krasiç. Pikërisht serbi pati edhe rastin më të mirë për të dyfishuar: por kur doli përballë portierit Tremel, pas sprintit klasik prej 30 metrash, goditi lart. Është hera e tretë në këtë sezon, që Krasiç, pak a shumë në të njëjtin pozicion, dështon në një gol kaq të thjeshtë: ndodhi kundër Sampit, Leçes. Millosh është një maniak në stërvitje, por do të punojë për t’u përmirësuar para portës.

Sigurisht, përshtatja e tij në kampionatin italian dhe te Juvja vazhdon shumë mirë dhe jo rastësisht është shndërruar në një idhull. Tifozët e “adoptuan” që në shpërthimin e parë dhe tani shijojnë kampionin e tyre. Krasiç është diçka e re, sepse është një anësor ndryshe: është i shpejtë dhe i fuqishëm, parapëlqen të dalë në krah, por papritur e gjen edhe në qendër, shpërthen me topin në këmbë, ose lëshohet në hapësirë në pritje të topit.

Sfidon në duel çdo kundërshtar dhe zakonisht godet. Tashmë kundërshtarët e njohin dhe e dinë sesi luan, por nuk arrijnë ta ndalojnë, sepse është e pamundur. Natyrisht ka akoma vend për përmirësime, duhet të mësojë të luajë më shumë me shokët dhe të ndihmojë në fazën mbrojtëse. Gjithçka do të jetë më e lehtë kur të mësojë më mirë italishten, njohuria e të cilës e lejon të shprehë vetëm një kënaqësi të vogël pas ndeshjes në Austri: “Jam i kënaqur për golin, edhe pse nuk arritëm të fitojmë”.

Por e mendon ndryshe trajneri i Salcburgut, Hub Stevens: “Goli i Krasiçit nuk ishte i rregullt, nuk e kuptoj se çfarë bëjnë gjithë ata gjyqtarë afër portës nëse pastaj gabohet gjithnjë”.
I pakapshëm, i palëvizshëm, i pazëvendësueshëm lojtari bjond, duke e bërë Juven të varet shpesh nga këmbët e tij. “Krasiç? Nuk e prisja kaq të fortë, - pranon mesfushori Akuilani

. - I njihja cilësitë e tij, por nuk e dija kaq vendimtar. Mirë kështu, shpresojmë të vazhdojë sa më shumë në nivele të tilla. “Krasiç lider? Kemi liderë të rëndësishëm, edhe jashtë fushe, - thotë Del Neri, - por Milloshi është një element shumë i vlefshëm për lojën tonë. Në këto momente është në një formë të shkëlqyer dhe krijon mundësi të rëndësishme për shokët dhe veten e tij”.