06 tetor 2010

Morati ia shtrin “dorën” Anjelit

Udhëtimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për martesën e vajzës nuk e ka penguar presidentin e Interit Masimo Morati të ndjekë me shumë vëmendje, nëpërmjet televizorit, ndeshjen midis Interit dhe Juventusit, të luajtur fundjavën e kaluar në “San Siro”, që është mbyllur në barazim pa gola. Numri një i zikaltërve ka qenë pak i zhgënjyer për faktin se skuadra e tij nuk ka arritur të marrë tri pikët kundër “Zonjës së Vjetër”:

“Ka qenë një ndeshje e bukur, - ka pranuar Morati. - Mund të them se barazimi ka qenë një rezultat i drejtë. Edhe pse kemi gabuar disa raste të pastra për gol. Megjithatë mendoj se kemi luajtur mirë”. Presidenti i Interit, më pas, ka kërkuar të ulë tonet me drejtuesit juventinë pavarësisht disa thumbimeve që kanë ardhur në prag të derbit të Italisë:

“Kur vijnë batuta të caktuara, unë i konsideroj thumbime të vërteta, - ka shtuar Morati. - Por, Andrean e njoh që kur ishte fëmijë dhe midis nesh ka respekt. Besoj se disa qëndrime të tij vijnë për shkak të detyrës që mbulon dhe për marrëdhënien që duhet të ruajë me tifozët e Juventusit”.