05 tetor 2010

Marota: Trajnerët e huaj? Më mirë ata italianë

Drejtuesi i Juventusit ka vlerësuar punën e trajnerit Del Neri: Një ekspert. Zgjedhja e duhur për ne

Fillimi i vështirë është një kujtim i zbehur dhe Juventusi me barazimet në fushën e Sitit dhe Interit është rikthyer të synojë për më shumë. “Pas dy muajsh puna që kemi bërë po fillon të japë frytet”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i bardhezinjve Bepe Marota. Meritë e Del Nerit: “Një teknik ekspert që arrin t’i menaxhojë shumë mirë situatat: kërkohet gjithmonë një trajner i huaj sikur të ishte një gjeni, por besoj se produkti italian është kompetitiv në maksimum.

Skuadra është rinovuar shumë duke ndjekur linjën e presidencës së klubit. Ulëm profilin e moshës dhe atë të rrogave duke krijuar kështu një model. Kur një lojtar ose një drejtues vesh fanellën e Juves e di se ka mbi shpatulla një histori të lavdishme. Jemi në fazën fillestare të kampionatit: skuadrat e mëdha kanë vështirësi në këtë periudhë, por gjatë muajve të ardhshëm do të ketë një nivelim total dhe do të shihen vlerat e vërteta”. Mbrëmja e “San Siros”, duke lënë mënjanë rezultatin, ka qenë një fitore për lojën korrekte midis dy skuadrave.

“Unë besoj se sporti është një fenomen social. Ndoqëm një reklamë pozitive. Dua të nënvizoj harmoninë midis dy skuadrave dhe arbitrimin e mirë që bëri të mundur që të gjithë të kalonim një mbrëmje të kënaqshme. Lojtarët janë profesionistë seriozë dhe e kuptuan se impenjimi i tyre nuk duhej të ishte vetëm tekniko-taktik, por edhe në aspektin e lojës korrekte: lojtarët e Juves kanë bërë një punë të mirë dhe jemi të lumtur për këtë”, ka thënë Marota.

Më pas, drejtuesi bardhezi flet edhe për rivalin Rafa Benitez: “Eshtë një profesionist që e kupton shumë mirë futbollin, por ka edhe një qëndrim perfekt jashtë fushës. Trajnerët kanë bërë gjithçka të mundur për të krijuar atmosferën e duhur”. Dhe në vazhdim kanë ardhur elozhet për tre juventinë: “Melo është një lojtar i madh: nuk mund të trajtohen lojtarët si të ishin makina, janë djem të rinj dhe duhet të ndihmohen në rritjen e tyre. Duhej të krijoheshin kushtet e duhura që ai të jepte maksimumin e tij.

Edhe Storari është një element i rëndësishëm, që shpërtheu pak me vonesë, por cilësitë e tij janë të padiskutueshme. Me dëmtimin e Bufonit duhej të gjenim një portier dhe zgjodhëm atë, jo vetëm për cilësitë teknike, por edhe për ato njerëzore. Del Piero? Një profesionist serioz, një shembull për të gjithë: është kapiteni, një ikonë e Juves dhe kështu konsiderohet nga të gjithë ne. Kampionët si ai janë të mirëpritur, shembulli i tij duhet ndjekur si brenda ashtu edhe jashtë fushës”, ka thënë Marota.