Fantazisti serb i Juves mund të skualifikohet për simulimin e bërë kundër Bolonjës, duke marrë një 11-metërsh
Shkaktoi zemërimin e Portanovës, Malezanit dhe tifozëve të Bolonjës dhe tani rrezikon të ndëshkohet. Milos Krasiç, në rastin e penalltisë që iu dha Juventusit kundër kuqebluve në “Dal’Ara” (e gabuar më pas nga Iakuinta), rrëzohet pa u prekur nga askush: gjykatësi sportiv mund ta ndëshkojë, duke e skualifikuar për simulim dhe duke e detyruar të mungojë në ndeshjen kundër Milanit.
Në minutën e 34-t në Bolonja-Juventus ndodhi episodi i kontestuar: Krasiç rrëzohet në zonën e rreptësisë pas ndërhyrjes së Portanovës, por që, siç tregon përsëritja e aksionit në televizor, nuk e preku aspak serbin. Pikërisht prova televizive mund të përdoret nga gjykatësi sportiv për të justifikuar skualifikimin e lojtarit. Rastet e mëparshme flasin qartë: Iliev, Adriano dhe Zalajeta në kampionatin italian, Dida në Ligën ne Kampionëve, janë skualifikuar për të njëjtën arsye.
I pari ka qenë Ivica Iliev, sulmues i Mesinës, që në tetorin e 2005-ës skualifikohet për tri ndeshje për një simulim në një penallti të marrë kundër Askolit. Skualifikimi ka qenë i ashpër edhe për shkak të gëzimit të serbit pas vendimit të arbitrit. Më 19 prill 2007 i takoi Adrianos, i ndalur për 2 ndeshje falë provës televizive kur luante me Interin: penallti e marrë me simulim kundër Romës dhe skualifikim i menjëhershëm.
Gjithmonë në 2007-ën i erdhi radha Zalajetës: në tetor sulmuesi atëherë te Napoli bën sikur humb ndjenjat kundër Juventusit (takimi përfundoi 3-1 për napoletanët). I skualifikuar për 2 ndeshje. Në Ligën e Kampionëve i ndodh Didës: portieri i Milanit, në tetor 2007, ka bërë një simulim të famshëm në Gllasgou kundër Sëlltikut dhe UEFA e skualifikoi për 2 ndeshje.