26 tetor 2010

Krasiç rrezikon skualifikimin për 2 ndeshje

Sot do të vijë vendimi i gjykatësit sportiv për simulimin e bërë nga juventini kundër Bolonjës

Edhe dje Juventusi ishte nën shenjën e Krasiçit: frymëzues me Leçen, i domosdoshëm në Salcburg, antisportiv në Bolonjë. Hedhja e serbit në zonën e rreptësisë së kuqebluve, iu sinjalizua gjykatësit sportiv Xhiampaolo Tozel që sot do të japë vendimin e tij. Ndërsa Juvja po merr në konsideratë idenë për të mos e patur në dispozicon Krasiçin për dy ndeshje, kundër Milanit dhe Çezenës, shpërthejnë polemikat, pro dhe kundra serbit.

MBROJTJA E BLANKUT - Deklaratat e fundit janë ato të administratorit të deleguar të bardhezinjve Zhan-Klod Blank: “Çdo futbollist ka reputacionin e tij, Millosh ka atë se është një lojtar i pastër që respekton rregullat. Ai që duhet të gjykojë episodin e Bolonjës duhet të mendojë edhe për këtë. Ne kemi një program që i lejon të rinjve të rriten në nivelin moral, në bazë të vlerave të sportit.

Kjo është baza mësimore për të gjithë lojtarët tanë, nga sektori i të rinjve te skuadra e parë”. Personazhi tjetër në dritëhije është Amauri. Kërkonte një gol që në kampionat i mungon që nga 14 shkurti (Juve-Xhenoa 3-2). “Po punoj për të rigjetur formën e duhur”, ka përsëritur shpesh. Gjithçka për t’u ribërë nga e para pas rikthimit të problemit në thembrën e djathtë. Në pritje të rezultateve të analizave, Del Neri duket se e ka pranuar tashmë idenë se nuk do ta ketë në dispozicion italo-brazilianin kundër Milanit.

HISTORIA - Në të kaluarën prova televizive ka ndëshkuar ish-lojtarin e Interit Adriano (2 ndeshje i skualifikuar për simulim kundër Romës) dhe ish-lojtarin e Napolit, Zalajeta, që ka qenë protagonist i dy episodeve (2 ndeshje i skualifikuar për simulim kundër Torinos dhe 2, më pas të anuluara, për simulim kundër Juves).

Më pas është rasti i sulmuesit të Mesinës, Iliev, që pas simulimit kundër Askolit festoi: një qëndrim që i kushtoi një pezullim prej 3 ndeshjesh. Edhe Krasiç rrezikon të marrë të njëjtin ndëshkim për faktin se festoi: pasi mori penalltinë serbi shtrëngoi grushtin, si një tenist. Duhet thënë se serbi më pas u zhduk nga ndeshja, i kushtëzuar jo vetëm nga vërshëllimat, por ndoshta edhe nga ndërgjegja e tij.


KOMENTET - Del Neri ka thënë: “Nëse do ta skualifikonin do të zemërohesha shumë, Krasiç është rrëzuar për shkak se pati frikë se mos merrte një goditje”. Edhe Marota del në krah të lojtarit: “Millosh kërkoi të shmangë kontaktin me Portanovën dhe ra. Ishte i tronditur, nuk besoj se është e drejtë të flasim për një veprim antisportiv dhe për këtë arsye nuk duhet të merret për bazë prova televizive”. Bonuçi ka menduar për mbrojtjen:

“Gjëra të tilla mund të ndodhin”. Po ashtu edhe Akuilani: “Po të kishte qenë një kundërshtar do të isha zemëruar me të. Millosh mu duk shumë i mërzitur”. Edhe Moxhi jep mendimin e tij: “Po të merrnim një penallti të tillë në kohën kur unë isha drejtor i përgjithshëm i Juventusit do të më kryqëzonin. Kjo konfirmon se arbitrat gabonin më parë dhe gabojnë edhe tani dhe do ta bëjnë gjithmonë, por në mirëbesim.

Gjithsesi, fatmirësisht Iakuinta e humbi penalltinë”. Në fund, mungojnë vetëm fjalët e protagonistit, Krasiç. Për shumë njerëz është gjithnjë dhe më shumë një sozi e Nedvedit edhe përsa i takon simulimeve. Duke iu rikthyer historisë, ka qenë Nedved, pikërisht kundër Bolonjës, pikërisht në atë zonë të rreptësisë në sezonin 2003/04, që largoi shokun e skuadrës Zambrota që ishte gati t’i rrëfente arbitrit Paparesta se kishte simuluar dhe se penalltia nuk ishte e drejtë.