Drejtuesit bardhezinj kanë vendosur të ndërhyjnë në merkato edhe në janar
Merkatoja e verës e Juventusit ka qenë e pasur me blerje të reja, por ajo e janarit mund të jetë gjithashtu e tillë. Rezultatet e fundit inkurajuese po e shtyjnë Bepe Marotën dhe stafin e tij të vazhdojnë të punojnë për të përforcuar një skuadër që në çdo ndeshje po fiton besim në forcat e veta. Me të gjithë respektin për Iakuintën, Kualjarelën, Amaurin dhe Del Pieron, ndihet mungesa e një sulmuesi prej 20 golash në sezon dhe jo rastësisht situata e Karim Benzemasë te Reali i Madridit ndiqet nga afër. 22-vjeçari francez, ka një marrëdhënie të vështirë me trajnerin Mourinjo, i cili mund të jetë dakord me shitjen e tij.
Ndërsa, në qershor të 2011-ës bardhezinjtë mund të bëjnë një sulm të ri për Edin Dzekon. Marrëdhëniet me Volfsburgun janë përmirësuar pas blerjes së Diegos verën e kaluar, por sipas shtypit italian verën e ardhshme sulmuesi duhet të zbarkojë në Itali. Në Gjermani, për ta zëvendësuar, mund të përfundojë argjentinasi Maksi Lopez i Katanias dhe në marrëveshje mund të përfshihet edhe Momo Sisoko, që pëlqehet nga klubi gjerman dhe që ka përfunduar në stol me Del Nerin.
Në shënjestrën e “Zonjës” mbetet gjithmonë sulmuesi i ri brazilian Neimar (i konsideruar nga të gjithë si trashëgimtari i Peles) që duket se është i gatshëm të largohet nga Santosi për të kaluar në Europë që në janar. Marota po punon shumë edhe për të përforcuar mbrojtjen, mbi të gjitha krahët. Mota dhe De Çelie nuk bindin plotësisht, Grigera është një punëtor i madh dhe Traore ka kaluar më shumë kohë në infermieri se sa në stërvitje. Emri më i përfolur është ai i holandezit Gregori Van der Viel i Ajaksit, nënkampion bote në Afrikën e Jugut 2010.
Kartoni i tij vlerësohet 15 milionë euro dhe bardhezinjtë duhet të tregohen të kujdesshëm ndaj konkurrencës së Bajernit të Mynihut, Çelsit, Arsenalit dhe Milanit. Eshtë gjithmonë aktuale edhe alternativa Denis Aogo i Hamburgut, ashtu siç nuk hiqet dorë nga rruga që të çon tek anglezi Glen Xhonson i Liverpulit. Në merkaton italiane vëmendja është përqendruar te Matia Kasani i Palermos dhe te mbrojtësi me eksperiencë i Parmës, Kristian Zakardo.