Trajneri i Juventusit Del Neri beson se skuadra e tij nuk është akoma në maksimumin e formësVazhdimësi. Ky është urdhëri i Del Nerit në prag të transfertës së Juventusit në Bolonjë, që vjen pas barazimit me Salcburgun: “Shpresoj që të mos kemi shumë ulje dhe ngritje, por një rendiment të qëndrueshëm, - ka thënë trajneri bardhezi. - Tani jemi pak më të vetëdijshëm për forcën tonë, por kjo nuk do të thotë se i kemi zgjidhur të gjitha problemet tona. Megjithatë, për të marrë rezultate pozitive duhet kohë”. Në lidhje me zhvendosjen e mundshme të Pepes në mbrojtje:
“Duhet ta provoj një gjë të tillë në stërvitje. Paraqitjet individuale nuk më bëjnë të ndryshoj mendim në lidhje me lojtarët e mi që mund të kenë momente të mira dhe të këqia, por nuk është momenti për t’i gjykuar. Kam parë një përmirësim në mbrojtje, në mesfushë kemi gjetur ekuilibrin me një lojtar cilësor dhe mungesa e tij mund të ndihet, por jam i kënaqur me mentalitetin dhe lojën e lojtarëve të mi. Do të kërkojmë të tregojmë në fushë që mund të përmirësohemi, që kemi fituar më shumë siguri edhe pse e dimë se çdo javë përballemi me skuadra që japin maksimumin kundër nesh”.
Për momentin duket se është përjashtuar mundësia për zhvendosjen në mbrojtje të Pepes në vendin e Grigerës: “Deri në momentin që nuk provoj nuk bëj asgjë, alternativat do t’i kërkoj te skuadra e të rinjve. Kamileri mund të jetë një nga zgjidhjet e mundshme. Nuk mendoj të provoj Pepen në atë pozicion në ndeshje, mund ta bëj një gjë të tillë në stërvitje, ka karakteristika që mund t’i përshtaten atij pozicioni, por kam besim të plotë te Mota”, ka thënë Del Neri. Edhe vetë Pepe ka pranuar se është dakord nëse do t’i jepej një mundësi e tillë: “Po, nëse do të ma kërkojë trajneri jam gati. Unë si Zambrota? Ai është më i fortë se unë, por gjithsesi jam gati ta provoj një rast të tillë”.