10 tetor 2010

Juventusi nuk ka lidhje me Calciopoli?

Juventusit nuk është dashur t’i mirren dy titujt dhe të dërgohet në Serie B pas hetimeve të vitit 2006 për Calciopoli, gjithnjë sipas pohimeve të një polici, i cili ishte dëshmitar okular në procedimin e dëshmive.

Franco Zampa, një polic dhe tifoz i Juventusit, ka publikuar një libër për skandalin që e goditi futbollin Italian, skandal ky që edhe sot ashtu si katër vite më parë po shkakton polemika të shumta, pikërisht në kohën kur po zhvillohet gjyqi i Calciopolit në Napoli.

“Dua që me këtë libër të gjithë të dinë se ekziston një e vërtetë tjetër, pos asaj që na e treguan mediat. Në vitin 2006, kur u shfaqën dëshmitë e para, gjithçka thoshte se Juventusi dhe drejtori Luciano Moggi ishin të fajshëm. Por, nuk kishte dëshmi. Kur e lexova dosjen, prita që të gjeja diçka të qëndrueshme. Ka përshkrime të incidenteve serioze dhe situatave absurde, por asnjë dëshmi e vetme”.

“Janë arritur konkluzione pa fakte. Aty thjeshtë nuk kishte dëshmi. Siç ka thënë Sherlock Holmes, ju filloni një hetim me fakte në mënyrë që të arrini një konkluzion. Kolegët e mi e filluan nga një konkluzion. Moggi ka qenë mashtruesi i përkryer për opinionin publik”, theksoi Zampa për Tuttosport.